Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shpallur “non grata” ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij.

Në një njoftim në rrjetin social Twitter, Blinken thotë: Veprimet korruptive të ish-Presidentit Sali Berisha minuan demokracinë në Shqipëri. Sot shpall publikisht Berishën dhe familjen e tij të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA. Ne qëndrojmë të bashkuar kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri.

DASH ka publikuar në faqen zyrtare vendimin e plotë ku thuhet se Berisha ka qenë i përfshirë në veprime korruptive për shpërdorim të fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike duke përdorur pushtetin. Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se, nëpërmjet këtyre veprimeve, ish-kryeministri ka pasuruar aleatët e tij politikë dhe familjen e tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar. Në vendimin e tij, Blinken ka përcaktuar si të papërshtatshëm edhe bashkëshorten e ish-kryeministrin Liri Berisha, djalin Shkëlzen Berisha dhe vajzën Argita Berisha Malltezi.

Vendimi i plotë i publikuar në faqen zyrtare të DASH:

Sot, unë shpall përcaktimin publik të Sali Berishës, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-deputet i Parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion domethënës. Në cilësinë e tij zyrtare, veçanërisht si Kryeministër i Shqipërisë, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë. Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies. Me këtë përcaktim, rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë. Ky përcaktim bëhet në bazë të Nenit 7031(c) të Aktit të Departamentit të Shtetit për Buxhetin për Operacionet e Jashtme, dhe Programet Përkatëse, 2021. Përveç Berishës, unë përcaktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berisha, djalin e tij, Shkëlzen Berisha dhe vajzën e tij, Argita Berisha Malltezi. Këta individë janë të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Ky përcaktim riafirmon angazhimin e SHBA-ve për mbështetjen e reformave politike që janë kyçe për institucionet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë krah popullit shqiptar. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete të tilla për të nxitur përgjegjësinë për personat e korruptuar në këtë rajon dhe globalisht.

Vendimi i sekretarit Antony Blinken

/tvklan.al