Kim: Me njohjen e rezultateve të këtyre zgjedhjeve, liderët do të veprojnë me përgjegjshmëri në të mirë të popullit

Departamenti Amerikan i Shtetit ka uruar popullin e Shqipërisë për zgjedhjet e 25 Prillit. Përmes një postimi në rrjetet sociale thuhet se DASH shpreson që të vazhdohet me partneritetin e ngushtë me Kryeministrin Edi Rama. Po ashtu, ata përgëzojnë fushatën e opozitës.

“ShBA-ja përgëzon popullin e Shqipërisë për zgjedhjet e fundit. Ne shpresojmë të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Kryeministrin Rama dhe përgëzojmë fushatën e fortë të opozitës. Respektimi i rezultateve të zgjedhjeve legjitime forcon demokracinë e Shqipërisë”, thotë zëdhënësi Ned Price.

Ambasadorja Kim përgëzon Ramën për fitoren dhe Bashën për fushatën e fortë

Duke shpërndarë postimin e DASH në rrjetet sociale, edhe ambasadorja Yuri Kim ka përgëzuar kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për fitoren në zgjedhjet e 25 Prillit. Kim thotë se me njohjen e rezultateve të këtyre zgjedhjeve dhe duke bashkëpunuar mes njëri-tjetrit, liderët do të veprojnë me përgjegjshmëri në të mirë të popullit. Ajo ka përgëzuar edhe kreun e PD-së, Lulzim Basha, për të cilin thotë se ka drejtuar një fushatë të fortë e që i dha zë shumë njerëzve.

“Ne përgëzojmë kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për fitoren e tyre elektorale. Përgëzojmë gjithashtu kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për drejtimin e një fushatë të fortë që i dha zë shumë njerëzve dhe frymëzoi shpresë. Më e rëndësishme, ne përgëzojmë popullin shqiptar që foli qartë. Me njohjen e rezultateve të këtyre zgjedhjeve dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, liderët do të veprojnë me përgjegjshmëri në të mirë të popullit shqiptar. Presim që të punojmë me Shqipërinë për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin për demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin”, shkruan Kim.

Më tej, Kim shton se duhet pritur raporti paraprak i OSBE/ODIHR dhe më pas të përdoret për të përmirësuar më tej zgjedhjet. Po ashtu, Kim ka ripërsëritur apelin që autoritetet ligjzbatuese dhe gjyqësore duhet të ndjekin penalisht ata që kanë kryer krime zgjedhore.

“Ne e vëmë theksin tek raporti paraprak i OSBE/ODIHR dhe presim raportin përfundimtar, i cili duhet të përdoret për të përmirësuar edhe më tej zgjedhjet në Shqipëri. Ripërsërisim se autoritetet ligjzbatuese dhe gjyqësore duhet të ndjekin penalisht këdo që shkeli ligjin dhe që pengoi të drejtën e qytetarëve për të votuar në mënyrë të lirë dhe paqësore”, shkruan më tej Kim./tvklan.al