Korrupsioni në nivelet më të larta të qeverisë dhe kultura e pandëshkueshmërisë janë problemet kryesore që evidenton Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin për të drejtat e njeriut në Shqipëri për vitin 2015.

Korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes, veçanërisht brenda sistemit të Drejtësisë dhe atij Shëndetësor, nënvizon raporti, ishin një ndër problemet më shqetësuese për Shqipërinë.

Pandëshkueshmëria evidentohet si një tjetër problem për vitin që lamë pas.

Prokuroria dhe veçanërisht dënimi i zyrtarëve të lartë që kanë kryer abuzime, mbetet sporadik dhe i pandjeshëm.

Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe ata që kanë interesa të fuqishme biznesi shpesh kanë qenë të aftë t’i shpëtojnë drejtësisë. Jo pak hetime u nisën nga qeveria, por që më pas u rrëzuan si çështje nga prokuroria, thuhet në raport.

Të tjera probleme, lidhur me të drejtat e njeriut janë vërejtur edhe sa i përket rrahjeve nga ana e policisë apo keqtrajtimi gjatë marrjes në pyetje.

Theksohet se ka patur jo pak raste të mbajtjes në paraburgim në periudha të gjata, pa një akuzë të qartë e jashtë kushteve të duhura të qëndrimit të qeli.

Me shqetësim, DASH flet edhe për çështjen e pronave.

Qeveria, thuhet se, ka bërë pak përparim në trajtimin e kërkesave të shumta për kthimin apo kompensimin e pronave të konfiskuara gjatë kohës së komunizmit.

Edhe për 2015 -ën raporti thotë se Shqipëria mbetet burim dhe destinacion për meshkuj, gra dhe fëmijë të nënshtruar si pjesë e trafikut të prostitucioni dhe punës së detyruar.

Raportin e DASH, e ka komentuar edhe Kryeministri Rama, i cili në një intervistë për “Zërin e Amerikës” tha se qeveria e tij po bën çdo përpjekje kundër fenomenit.

Tv Klan