Blinken: Institucionet e drejtësisë të veprojnë me guxim

Ndonëse takimi zgjati më pak se 10 minuta, kërkesat e Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken kanë qenë të qarta ndaj krerëve të institucioneve të reja të drejtësisë në Shqipëri. Në zbardhjen e takimit nga ambasada e SHBA, të vepruarit me guxim ndaj pandëshkueshmërisë ka qenë një nga porositë kryesore të Blinken për kreun e SPAK, të Gjykatës Kushtetuese, Inspektoratit të lartë të Drejtësisë dhe Gjykatës së Lartë.

“Sekretari i Shtetit Antony Blinken përsëriti angazhimin e qëndrueshëm të Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi në Shqipëri gjatë një takimi me krerët e drejtësisë dje. Megjithëse reforma nuk është e shpejtë, e përsosur, apo e lehtë, ky është momenti që institucionet e reja të drejtësisë të veprojnë me guxim ndaj pandëshkueshmërisë dhe të nxisin besimin e publikut në sundimin e ligjit. Këto sfida janë të mëdha, por Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fort pas këtyre institucioneve dhe do të mbetemi të palëkundura në mbështetjen tonë”.

Ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit zbardhi takimin me presidentin Bajram Begaj ku në fokus kanë qenë parteriteti Shqipëri-SHBA dhe situata në rajon, sidomos në Kosovë.

Barjam Begaj: Unë jam mirënjohës për atë që po bëni për Shqipërinë, për Kosovën dhe në rajon. Dhe, natyrisht, nuk mund të lë pa përmendur se ju keni bërë kaq shumë për demokracinë shqiptare, për shtetin e së drejtës, për reformën në drejtësi, për mbrojtjen e sigurinë, dhe sigurisht për ekonominë dhe arsimin. Dhe mund t’ju siguroj se Shqipëria është e përkushtuar të jetë gjithmonë me ju, dhe sigurisht, ne do të jemi një kontribues për sigurinë rajonale dhe globale.

Antony Blinken: Këtë e shohim çdo ditë. Ky është një partneritet dhe ne jemi mirënjohës për të. Ne e dimë se kaq shumë nga sfidat që ka secili prej nesh, ne mund t’i përballojmë në mënyrë më efektive së bashku, jo vetëm. Dhe kështu që ne të kemi miqësinë, partneritetin – kanë qenë 101 vjet marrëdhënie diplomatike, por vitet e fundit veçanërisht ne kemi parë forcën e partneritetit në shumë fusha të ndryshme. Pra është një kënaqësi e madhe.

Sa i përket takimit me kryeministrin Rama, Departamenti Amerikan i Shtetit ka zbardhur vetëm konferencën për shtyp, ku ka zgjedhur të mos përfshijë deklaratën e Blinken për mungesën e një takimi me opozitën.

Klan News