Dashamir Shehi: Bujqësia, potenciali që mund të nxjerrë vendin nga varfëria (Video Arkiv) – TV KLAN

Dashamir Shehi: Bujqësia, potenciali që mund të nxjerrë vendin nga varfëria (Video Arkiv)

Në kuadër të intensifikimit të fushatës elektorale të vitit 2001, një sërë personalitetesh politikë kanë dalë përpara kamerave për të sqaruar pikat kryesore të programit të partive përkatëse dhe për t’u përballur me njëri-tjetrin. I ftuari i emisionit “Opinion”, realizuar më datë 12 Qershor të vitit 2001 ishte deputeti Dashamir Shehi, në atë kohë një nga drejtuesit e PD. Gjatë intervistës përballë gazetarit Blendi Fevziu, Shehi tha se një ndër pikat bazë të programit të PD është rikthimi tek bujqësia, sipas tij bujqësia ishte potencial që mund të nxirrte vendin nga varfëria.

“Nuk mund të shpjegoj gjithçka që përmban një program, por gjërat kryesore kam dëshirë që t’i them për publikun shqiptar dhe elektoratin që ne mendojmë se i përket PD-së. Unë jam prej vitesh në politikë dhe mendoj se dalëngadalë po maturohet një opinion publik evropian që do të largohet nga klishetë e partive dhe nga personazhet groteskë që dominojnë. Tirana përfaqëson një model për gjithë vendin, përqindja e Tiranës ka qenë përfaqësuese për zgjedhjet politike. Tirana përfaqëson një shumatore të të gjithë mentaliteteve. Kush merr Tiranën ka marrë Shqipërinë.

Sot jetojmë në një regjim relativisht demokratik, kemi lirinë tonë të shprehjes dhe s’e kuptoj tafmanë e madhe për të hyrë patjetër në parlament. Ne nuk jemi nga ata që themi që nuk humbim kurrë, por do rigjykojmë pozicionet tona. Ky është funksioni i politikës. Populli duhet të zgjedhë atë që i shërben më mirë, ne ofrojmë alternativën tonë. Pika bazë e programit tonë është që ne pretendojmë që duhet rikthyer bujqësia shqiptare. Është serbatori më i madh i varfërisë, njëkohësisht është potenciali që mund të nxjerrë vendin nga varfëria. E dyta është që do përmirësojë bilancet brenda përbrenda Shqipërisë, që një pjesë janë defiçit nga subvencionet. Dhe e treta do të përmirësojë bilancin e pagesave që kemi me jashtë. Ky regjim duhet të mbarojë, është një show karnavalesh që s’ka lidhje me politikën”, tha Shehi.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012

Kategori
Lajme nga EmisionetOpinion - DosierTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*