Në javën e pestë të festivalit “Kënga Magjike”, Elita Reçi performoi në studio këngën e saj të titulluar “As ajo”. Mëngjesin e kësaj të shtune në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan ajo rrëfen gjithë të “pathënat” sa i përket këngës dhe pjesëmarrjes së saj në këtë festival.
Elita Reçi shprehet se punimet për këngën kanë nisur para një viti, ndërkohë që shton se fillimisht kënga nuk ishte përgatitur për t’u performuar në “Kënga Magjike.”
Elita Reçi: Kënga është punuar mbi një vit e pak. Ka goxha dhe është hera e parë që po e them, por kënga nuk është nisur për një festival apo për tek “Kënga Magjike” është nisur me idenë që të bëhet një gjë e bukur, të bëhet një bashkëpunim me Kledi Bahitin me të cilin unë kam kohë që kam dashur të bëj një bashkëpunim, por iniciator i kësaj është Elios Shuli, i cili njëkohësisht ka shkruar dhe tekstin e këngës.
“As ajo” titullohet kënga e Elita Reçit, këngë e cila u prit mjaft mirë nga publiku. Në “Aldo Morning Show” ajo tregon kanë qenë pikërisht dashuritë të cilat nuk përfundojnë me një fund të lumtur, që e frymëzuar dhe i dhanë shtysën për melodinë dhe tekstin e këngës.
Mesazhet që kënga synon të përcjellë, Elita nuk ngurroi t’i japë për publikun dhe nga studioja lëvizëse. “Është bukur të dashurojë verbërisht njeriu deri në frymën e fundit…,” është shprehur këngëtarja.
Aldo: Cili është mesazhi që t’i ke dashur të transmetohet nëpërmjet kësaj kënge?
Elita Reçi: Kënga “As ajo” frymëzohet nga dashuri të cilat nuk përfundojnë me fund të lumtur. Shpesh e gjejmë veten të lënduar nga e shkuara ose nga partnerët aktualë sepse në fund të fundit kjo është njerëzore dhe është një thirrje në fakt për të gjithë të dashuruarit, të cilët në momentin që duan dikë japin aq shumë nga vetja saqë arrijnë deri aty sa ndonjëherë humbasin dhe veten, vetëm e vetëm që të bëjnë gjysmën tjetër të lumtur.
Aldo: Ky është një konflikt që ka qenë, është dhe do të jetë.
Elita Reçi: Pikërisht! “As ajo” është titulli i këngës, sepse kur një shpirt nuk e njeh dashurinë mendoj unë, asnjëherë nuk do të ngopet së rrëmbyeri dashurinë nga njëri partner tek tjetri. Është bukur që të dashurojë verbërisht njeriu deri në frymën e fundit, por ama është akoma më bukur që t’i kujtojë vetes se sa shumë duhet ta dojë secili nga ne veten në radhë të parë. Mendoj se duhet të dashurosh deri në momentin, kur kjo nuk bëhet e dëmshme për ty sepse po të bëhet një dëm për ty atëherë lëre, shëro vetën!/tvklan.al