Një vajzë e thjeshtë, ‘e dashuruar’ së largu me këngëtarin e saj të preferuar që përfundon duke u bërë gruaja e tij. Historia e Erzina Shehut dhe Mc Kreshës na kujton filmat hollivudianë, por në të çdo grimcë i përket jetës së vërtetë.
Ata kanë preferuar që mos të flasin shpesh publikisht duke i mbajtur shumë detaje për vete, por Erzina, e cila vjen në studion e “Rudina” në Tv Klan edhe si një sipërmarrëse, rrëfen njohjen e tyre. Gjithçka ndodhi në ditëlindjen e saj ku ai erdhi si i ftuar surprizë nga miqtë duke u kthyer në një takim që do t’i lidhte përjetë.
Ajo tregon për jetën e tyre bashkë, Mc Kreshën përtej kamerës, famës dhe skenës që i ka marrë zemrën nga momenti i parë.
Rudina Magjistari: Si u njohe me Mc Kreshën, si ndodhi ky moment? Ma përshkruaj pak atë situatën.
Erzina Shehu: Isha në punë, gjithmonë kam qenë fanse e Kreshës, kush nuk është, dhe punëtorët e mi ma kanë sjellë si një surprizë për ditëlindje.
Rudina Magjistari: Domethënë ti kishe ditëlindjen dhe kishe organizuar një festë për ditëlindjen tënde.
Erzina Shehu: Po, te shtëpia ime. Punëtorët e mi e kanë ditur që jam fanse e Kreshës dhe pastaj u kam thënë dua të njoh Mc Kreshën ose të shkoj në një koncert. Ata kanë bërë lidhjet e veta dhe e kanë sjellë te shtëpia ime, totalisht surprizë.
Rudina Magjistari: Ata s’e kanë menduar që do të ndodhte një njohje mes jush më pas dhe…
Erzina Shehu: Jo.
Rudina Magjistari: Thjesht kanë dashur të të bëjnë surprizën e jetës duke pasur parasysh që ti ishe një adhuruese e tij.
Erzina Shehu: Më pas Kresha u fut brenda në shtëpinë time dhe nuk ka dalë më.
Rudina Magjistari: Shkëndijat e para, si ia tërhoqe vëmendjen, si e bëre për vete Mc Kreshën?
Erzina Shehu: Nuk e di, ai thotë që jam shumë e thjeshtë, pozitive. Nuk e di, u dashurua me mua.
Rudina Magjistari: Që atë natë edhe ai?
Erzina Shehu: Edhe ai, po. Unë isha më shumë uau është Mc Kresha, e emocionuar, por ka dashur Zoti kështu.
Rudina Magjistari: Çfarë të pëlqeu më shumë në karakterin e tij si personalitet?
Erzina Shehu: Është shumë i zgjuar dhe super i thjeshtë, është burrë, është i mirë, kujdeset për mua dhe gjithçka. Është super njeri. Të bën ta harrosh që është i famshëm. Jeton një jetë shumë të thjeshtë dhe më ka bërë për vete.
Çifti kanë edhe dy fëmijë, një vajzë, Iza dhe djalin Dini. Erzina shprehet se dëshira për të qenë prindër ka qenë shumë e fortë te të dy dhe i kanë ndarë më së miri rolet e tyre.
“Unë jam ajo që luaj më shumë me fëmijët, nuk ia plotësoj totalisht të gjitha dëshirat, Kresha është më strikt, i përkushtuar shumë por më strikt, dikush duhet ta bëjë dhe jam shumë e lumtur që Kresha e ka marrë atë anë sepse është shumë e vështirë për mua të them jo”, përmbyll ajo./tvklan.al