Dasma e Mbretit Zog me Geraldinën (Video Arkiv) – TV KLAN

Dasma e Mbretit Zog me Geraldinën (Video Arkiv)

Më 28 Prill të vitit 1939 Mbreti Zogu I celebroi martesën me konteshën hungareze Geraldinë Appony, me të cilën ishte fejuar në fillim të vitit 1938. Kjo ngjarje mbeti një prej evenimenteve gjysmë rozë dhe historike më të rëndësishme të Shqipërisë. Një ngjarje që nuk u komentua vetëm në Shqipëri, por bëri jehonë edhe në mediat në mbarë botën. Në Tiranë mbërritën rreth 70 gazetarë të huaj, shumica prej të cilëve të shtypit evropian, por edhe të SHBA. Homologë nga e gjithë bota mbërritën në Shqipëri me dhurata shumë të shtrenjta për dasmën e mbretit. Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu realizuar më 27.05. 2010 është fokusuar tek materialet e panjohura lidhur me martesën e Mbretit Zog.

Mbreti Zog po martohej me një nga vajzat aristokrate më të bukura të Evropës. Dasma e Mbretit Zog ishte një prej evenimenteve më të rëndësishme të vitit 1938 për sa i përket evenimenteve argëtuese. Ndërkohë Evropa ishte në prag të Luftës së Dytë Botërore.

Martesa e Mbretit Zog ishte kthyer në një problem shqetësues jo vetëm për mbretin e shqiptarëve, i cili ishte në fron që prej vitit 1928, por edhe për aleatin kryesor të tij, Italinë. Italia fashiste mendonte se martesa e Mbretit Zog duhej bërë në kushte sa më të favorshme për Italinë për të shmangur ndikimin e mundshëm të vendeve të tjera. Martesa e tij me konteshën Geraldinë solli shqetësime për italianët. Zogu kishte 10 vjet që kërkonte grua dhe vetëm mbrëmjen e Vitit të Ri 1938 i dërguari konfidencial, Jak Koçi organizoi takimin me konteshën gjysmë amerikane. Ajo ishte zonja e duhur për mbretin.

Nga një udhëtim në Budapest, 6 motrat e tij takuan konteshën Geraldinë, ata i dërguan një fotografi Zogut dhe më 3 Janar ai kërkoi dorën e saj. Kontesha Geraldinë u bë Mbretëresha e Shqipërisë. Mbretëresha Geraldinë iu bashkëngjit Mbretëreshës Farida të Egjiptit si mbretëreshat më të reja të botës. Mbretëresha Geraldinë ishte 22 vjeç dhe ishte e vetmja që përmbante gjak amerikan. Kontesha Geraldinë ishte katolike, ndërsa Mbreti Zog mysliman, ky ishte një tjetër problem në marrëdhënien e tyre që vetëm në fund mori zgjidhje nga Vatikani.

Mbreti Zog i premtoi se do të ndërtonte për nusen e tij një altar katolik brenda oborrit mbretëror. Një nga pjesët më interesante të dasmës lidhej me dhuratat që ai mori. Një pjesë e tyre janë bërë të famshme, siç ishte ajo e Mercedes-it të kuq, i cili iu dhurua nga Adolf Hitleri, kancelari gjerman. Një kopje të dytë të asaj makine e kishte vetë Hitleri, por që u shkatërrua gjatë bombardimeve në Liverpool.

Veshja e nuses më të famshme të atij viti, Geraldina, u komentua shumë nga mediat e huaja. “Nusja shkëlqente e veshur me një fustan saten të bardhë të thurur me perla dhe fije argjendi në formë lulesh. Bishti i fustanit mbretëror ishte i gjatë”, shkruhej në një gazetë amerikane.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012

Kategori
Lajme nga EmisionetOpinion - DosierTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*