Një histori e bukur dashurie që është kurorëzuar në Prill. Një çift nga Shkodra ka vendosur të mos e anulojë dhe as të mos e shtyjë dasmën, por ta realizojë edhe pse në kushte shumë të vështira.

Unazat i shkëmbyen para derës së katedrales së Shkodrës dhe realizuan një dasmë me shumë-shumë pak të ftuar.

Emiliana dhe Lekë Prockaj, në një lidhje nëpërmjet “Skype” me emisionin “Rudina” në Tv Klan, thone se kjo ishte një ditë shumë e veçantë për ta, por pak e ngatërruar për shkak të Covid 19, pasi kishin menduar për një dasmë të madhe.

Leka thotë se ishte ai vetëm me familjarët që mori nusen: “Kishte shumë pak të ftuar sepse nuk mundnim t’i ftonim njerëzit për shkak të Covid 19, por na shkoi shumë bukur.

Si dy persona të besimit katolik ata kishin planifikuar që kurorëzimin e tyre ta bënin në kishë, por kjo u kthye në diçka të pamundur pasi të gjitha institucionet e kultit në vend janë të mbyllura për shkak të karantinës. Kjo bëri që çifti t’i shkëmbente unazat para derës së mbyllur të kishës, dhe t’i premtonin njëri-tjetrit besnikëri të përjetshme.

Aty kishim vetëm pjesëtarët e familjes, ishte babi me vëllain dhe ishte d.m.th., tezja, që ishte dasmoresha (shkuesja). Prift nuk kishte dhe nuk i kishim thënë asgjë priftit për atë pjesë, sepse e dinim që ishte mbyllur gjithçka, por thjeshtë ndërruam unazat me nusen dhe kaq. Drekën e dasmës më pas e bëmë në oborr, duke kërcyer dhe kaluam bukur. Nuk mund ta realizonim më të madhe për shkak të karantinës, por me kaq u kënaqëm dhe kaluam shumë bukur./tvklan.al