Daut Laze, 49-vjeçari i cili u arrestua nga policia, ka qëndruar i fshehur në Tiranë. Gjatë 2 muajve në arrati, mësohet se ai ka qëndruar në disa xhami të kryeqytetit.
Për të mos u identifikuar nga policia, ai kishte ndryshuar dhe pamjet, teksa në përditshmëri mbante dhe kapele. Në dëshminë para oficerëve të policisë, 49-vjeçari ka dhënë informacione se ku fshihej.
“Kam qëndruar kryesisht në Fresk, Kombinat, Yzberisht dhe në Astir. Kam përfituar edhe nga muaji i Ramazanit. Besimtarët më kanë ofruar ushqim dhe fjetje”, është shprehur Daut Laze.
Daut Laze u arrestua mbrëmjen e të hënës teksa po shkonte tek banesa e tij në zonën e Astirit. Agjentët e komisariatit nr.6 kishin informacione se do shkonte në shtëpi dhe disa oficerë ishin vendosur prej ditësh pranë banesës. Për tu theksuar është se familjarët e tij nuk kanë qenë bashkëpunues me policinë.
Daut Laze është dërguar në burgun e Lezhës, për të vijuar vuajtjen e dënimit për dhunë në familje. Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e mjekimit të detyruar në një institucion mjekësor për shkak se ka probleme të shëndetit mendor. 49-vjeçari pritet të njihet të mërkurën me masë të re shtesë nga gjykata për shkak të largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit.
Daut Laze u arratis nga Burgu i Shënkollit në 4 Shkurt, duke kapërcyer murin në anën jugor të burgut. Për largimin e tij nga qelia, u arrestuan edhe 3 punonjës të burgut të Shënkollit, të cilët u lanë në masë të lehtë sigurie nga gjykata.
Klan News