David Alaba mund të konsiderohet lojtari më i ri i Real Madrid. Të paktën këtë ka konfirmuar gazeta spanjolle “Marca”, e cila bën me dije se Los Blancos kanë arritur akordin me futbollistin e Bayern Munich për ta marrë në “Santiago Bernabeu” në verën e tij viti.

Mbrojtësit i skadon kontrata më 30 Qershor të këtij viti dhe tashmë është i lirë për të folur me skuadrat e interesuara për shërbimet e tij. Dështimi për të bindur Alaba të firmosë një kontratë të re, pasi mbrojtësi kërkonte 200 mijë Euro në javë e ka detyruar Bayern që ta nxjerrë në shitje.

Kartoni i tij vlerësohet me 65 milionë Euro, por kjo shifër do të jetë tepër e largët me atë që Real do paguajë. Nëse e dëshiron që në Janar, edhe pse Zinedine Zidane e ka mbyllur derën e merkatos, Realit i duhet të shpenzojë rreth 10 milionë Euro për kartonin e austriakut, ndërsa në verë do të jetë i lirë dhe do të mbërrinte me parametra zero.

Alaba ka karakteristika fantastike dhe që bëjnë diferencën në çdo skuadër, çka rrit kreditet e tij në sytë e drejtuesve të Real Madrid. Ndërkaq ai është i denjë për të mbuluar si krahun e majtë të mbrojtjes, ashtu edhe qendrën, por edhe mesfushorin e majtë. 28-vjeçari ka zhvilluar 404 ndeshje me Bayern Munich, duke shënuar 39 gola dhe dhënë 49 asiste.  /tvklan.al