Vasil Ruçi: Prezantohej si shkrimtar, donte luante futboll

Dalin në dritë të tjera detaje nga jeta e Davide Pedorellit gjatë kohës që ai ishte zhdukur.

E teksa Prokuroritë e Shqipërisë dhe Italisë hetonin mbi një vrasje të mundshme të tij, ish-arbitri italian jo vetëm që ishte mirë me shëndet, por bënte një jete krejt të lirë në brigjet e jugut.

Ai kishte marrë një shtëpi me qira në Vlorë ku jetoi për disa muaj, ndërsa kishte arritur që të miqësohej edhe me disa figura të njohura të sportit në këtë qytet.

Me flokë të gjatë dhe i parruar ai u ishte prezantuar atyre si një shkrimtar me emrin Kristiano dhe që i pëlqente të luante futboll.

Legjenda e futbollit vlonjat, Vasil Ruçi tregon për Tv Klan se një i njohur i përbashkët e kishte prezantuar me të dhe se donte të stërvitej me ekipin e veteranëve të Vlorës.

Pecorelli kishte krijuar shoqëri me njerëz të njohur në Vlorë pa u shqetësuar fare nga policia, madje bënte plazh dhe hante dreka e darka me ta.

Arsyeja pse Pecorelli zgjodhi pikërisht Vlorën, ishte pikërisht komuniteti i madh i italianëve që jetojnë tashmë në qytetin bregdetar.

Madje Vasil Ruçi thotë me ironi se në Vlorë ka aq shumë italianë sa janë bërë tashmë edhe anëtarë të forcave politike.

Davide Pecorelli u zhduk natën mes 8 dhe 9 Janarit në Gjegjan të Pukës, pasi dogji makinën e marrë me qira brenda së cilës u gjetën eshtrat e një skeleti njeriu.

Hetuesit italianë ranë në gjurmë të Pecorellit në 12 Shtator kur ai kreu dy tërheqje nga 250 Euro në një bankomat në Romë.

Pas ndalimit në ishullin e Giglio ai u tha prokurorëve se e kishte inskenuar vrasjen e tij për shkak të problemeve ekonomike.

Në Itali do të hetohet vetëm për falsifikim dokumentesh ndërsa Prokuroria e Pukës po mbledh prova për të paktën 4 akuza: mashtrim, dëmtim i pronës me zjarr, kalim i paligjshëm i kufirit dhe dhunim të varreve.

Tv Klan