De Biasi: Në kombëtare po ndërrohen brezat

De Biasi: Në kombëtare po ndërrohen brezat

15:58 18/11/2019

“Interesantë lojtarët e rinj ku duhet të investohet”

Ka qenë i pranishëm në ndeshjen mbyllëse të kualifikueseve të europianit dhe megjithëse nuk kishte më shpresë për Shqipërinë Gianni De Biasi e konsideron fushatën kualifikuese me nota pozitive edhe pse kuqezinjtë nuk mundën të përsërisnin historinë e 4 viteve më parë.

“Shqipërisë kualifikimi i iku nga duart në ndeshjen me Turqinë, ku për një keqkuptim pësuam gol, më pas ndeshja me Andorrën… Reja bëri vetëm 8 ndeshje dhe besoj se rrugëtimi ka qenë mëse dinjitoz. Të përsërisësh nuk është e lehtë, aq më tepër në një realitet të vogël si Shqipëria ku nëse nuk ke lojtarë niveli do të jetë e vështirë të arrish objektivë të rëndësishëm. Tek kombëtarja po ndërrohen brezat, shumë lojtarë të rinj dhe interesantë tek të cilët federata dhe Reja mund të investojnë për dyvjeçarin e ardhshëm për kualifikueset e Katar 2024”, shprehet De Biasi.

Por a ka shpresë Shqipëria në Botëror?

“Do të varet edhe nga grupi që do të bjerë, por ka lojtarë të mirë si Gjimshiti apo Manaj. Duhet këmbëngulur sepse kanë të ardhme. Kundër Francës kishin emocione për shkak të debutimit në stadiumin e ri. Mëkat që pësuam shumë shpejt, aq më tepër në golin e dytë”, tha De Biasi.

De Biasi në fakt ishte i ftuar nga Federata e Futbollit për inaugurimin e stadiumit “Air Albania”.

“Është një krenari për të gjithë Shqipërinë sepse besoj se është stadiumi më i bukur në Ballkan. Nuk është i madh, është stadium perfekt për dimensionet e Shqipërisë. I vetmi problem ishte terreni i lojës, por dihet që fusha përfundoi në momentet e fundit”, tha ai.

Sa i përket planit personal, De Biasi pret të drejtojë një kombëtare, ose një skuadër në Serie A.

“Kam qenë në bisedime me Sampdorian, por në fund vendosën për Ranierin. Jam në bisedime me një kombëtare, por unë dua të zgjedh skuadrën ku do të shkoj. Dua të gjej një skuadër ose një kombëtare ku unë mund të bëj diçka të mirë”, përfundoi ai.

Tv Klan




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi