Kuqezinjtë vijojnë me përgatitjet në prag të finaleve të Euro 2016.

Seancën e fundit stërvitore Gianni De Biasi ia kushtoi mbrojtjes, duke shtuar ngarkesën fizike. Futbollistët u përpoqën të krijonin një barrikadë në zonën pranë portës, një situatë e cila shfaqet në përballjet me kundërshtarë të fortë.

Në ndeshjen e improvizuar ndarja e lojtarëve ishte një gërshetim mes lojtarëve titullarë dhe atyre të stolit. Në njërin formacion mbrojtja përbëhej nga Hysaj, Mavraj, Ajeti e Aliji, ndërsa tjetri nga kapiteni Cana, Gjimshiti, Rrahmani e Agolli.

Pavarësisht kësaj, gjatë stërvitjes pati edhe alternime të formacionit me rreshtimin e titullarëve Hysaj, Cana, Mavraj dhe Agolli.

Lojtarët që kanë patur dëmtime kohët e fundit janë drejt riaftësimit të plotë. Shpresë ka për Taulant Xhakën dhe Amir Abrashin.

Nga grumbullimi është larguar Ledian Memushaj, i cili do të luajë për ekipin e tij Pescara, që merr pjesë në play off për ngjitjen në Serie A.

Në progamin e sotëm është vetëm një seancë stërvitore në fushë, pasi nesër në orën 17:30 do të luhet miqësorja e parë, ajo me Katarin.

Tv Klan