Pritjes i erdhi fundi. Pas thuajse 3 vitesh, Gianni de Biasi rikthehet në pankinë dhe këtë e bën për një kombëtare.

Bëhet fjalë për kombëtaren e Azerbajxhanit me drejtuesit e saj që kanë arritur akordin me ish trajnerin e kombëtares shqiptare.

Kualifikimi në Euro 2016 nën drejtimin e kuqezinjve ka rritur pozitat e Italo-shqiptarit në arenën ndërkombëtare dhe pas shumë bisedimesh ka gjetur akordin me kombëtaren azere.

Lajm që është pritur mirë edhe nga presidenti i Federatës shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili përmes një reagimi në rrjetin social “Facebook” i ka uruar sukses De Biasit në eksperiencën e re, teksa ka konfirmuar se ai mbetet një pjesë e rëndësishme e kombëtares dhe se ka një vend të veçantë në historinë e futbollit tonë.

De Biasi ka nënshkruar një kontratë dy-vjeçare me Federatën azere, ku synimi është kualifikimi në Kupën e Botës 2022. Kombëtarja e Azerbajxhanit pritet të vihet në urdhrat e De Biasit gjatë ditëve të ardhshme.

Klan Plus