Portieri i United i mërzitur me trajnerin Luis Enrique se nuk e grumbulloi për sfidat me Shqipërinë dhe Islandën

Portieri David de Gea është i stresuar dhe i mërzitur nga vendimi i trajnerit Luis Enrique për të mos ta thirrur atë në kombëtare, në miqësoret me Shqipërinë dhe Islandën, duke hedhur dyshime për të ardhmen e tij me Spanjën.

Lojtari i Manchester United ishte një nga mungesat më të dukshme në përfaqësuesen iberike gjatë sfidave të fundmarsit, me teknikun spanjoll që vendosi të grumbullonte emra të rinj si Unai Simon, David Raya dhe Robert Sanchez.

Ndërsa Simon është kthyer në zgjedhje të parë të Enrique, De Gea ka qenë një nga më të mirët te “Djajtë e kuq” në këtë sezon. Gardiani 31-vjeçar ka ngelur pa fjalë nga vendimi dhe sipas gazetës sportive spanjolle “AS” nuk e ka pritur aspak mirë.

Tekniku Luis Enrique e telefonoi portierin për ta sqaruar për mosthirrjen, e prapë kjo nuk e ka ndryshuar situatën. De Gea ka vendosur që të mos shkojë në grumbullimet me “Furinë e kuqe” derisa të sqarohet roli i tij. Spanja mundi në miqësore Shqipërinë 2-1 dhe Islandën 5-0.  

Klan News