Debat i ashpër për Shkodrën në parlamentin malazez

Debat i ashpër për Shkodrën në parlamentin malazez

23:59 06/12/2019

Shkak deklarata e një deputeti të minoritetit serb

Të mërkurën, gjatë vazhdimit të seancës parlamentare, përplasjet e zakonshme mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës, opozitarët pro-serbë i përshkallëzuan ato në akuza mbi baza etnike dhe manifestim të intolerancës ndaj shqiptarëve.

Komunikimit të shkurtër në shqip mes dy shqiptarëve, kryesuesit të seancës Genci Nimanbegu dhe deputetit Luigj Shkrela, opozitari Milan Knezheviç iu përgjigj duke folur edhe në rusisht, për të ndalur në historinë e largët se Enver Hoxha ka qenë mik i Stalinit dhe, edhe më të hershme, se Shkodra na paska qenë kryeqytet serb.

“Zoti Shkrelja është e vërtetë se çdo javë jam në Shkodër. Dhe e natyrshme është të jem atje: Shkodra është kryeqytet i moçëm i shtetit mesjetar të Zetës. Në Shkodër dhe gjatë pushtimit, përkatësisht çlirimit të Shkodrës humbën jetën 12 mijë lule të malazezimit dhe unë ushqej ndaj Shkodrës ushqej emocionet më pozitive dhe sa here që mundem unë jam në Shkodër”.

Opozitari malazez, pro-serb, e mori përgjigjen aty për aty.

“Shkodra kurrë s’ka qenë dhe s’ka për të qenë kurrë kryeqytet serb. Mund të thuash ç’të duash! Ajo është kryeqytet i moçëm shqiptar. Atëbotë matej vetëm me Venedikun. Sikurse është e njohur, për Shkodrën janë xhiruar filma, për Shkodrën kanë rrëfyer njerëz më të mençur se ju, historia e ka thënë të veten”.

Deputeti Shkreli raportohet të jetë ndërprerë edhe nga kolegu i tij Andrija Mandiç, një ndër liderët e frontit opozitar, i cili sikundër shkruan media malazeze, i është kanosur me fjalët “do ta thyej edhe këmbën tjetër”!

“Unë çaloj, por jo në mendje dhe në shpirt, për dallim prej jush, këtu ju keni një hendikap madje të madh. Unë nuk e kam këtë. Mos mendoni se me këtë do të mund të më ofendoni!”

U kundërpërgjigj deputeti Luigj Shkreli. Pas kësaj pasoi edhe një polemikë mes tij dhe deputetit, politikanit serb Andrija Mandiç, gjatë së cilës ky i fundit i prekur nga kualifikimi ‘invalid në mendje’ përdori edhe kualifikime të tjera me ofendime përfshirë këtu dhe sharje në adresë të oponentit të tij politik. Gjest ky që nuk kaloi pa u sanksionuar nga kryesuesi i seancës, Nimanbegu.

Ndërkohë, Luigj Shkreli ka deklaruar se më nuk ndjehet i sigurt: “Do të mendoj se çfarë të bëj për veten dhe familjen”- i ka deklaruar deputeti shqiptar nga radhët e partisë së presidentit Milo Gjukanoviç, të përditshmes së Podgoricës “Pobjeda”. Deri tani nuk ka njoftime për reagimin zyrtar ndaj incidentit të së mërkurës në seancën e parlamentit malazez.

Tv Klan


Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi