Debate dhe sherr në kuvend, miratohet buxheti shtesë i qeverisë-(26 Korrik 2006)
Rreth orës tre të mëngjesit të sotëm parlamenti miratoi në parim buxhetin shtesë të qeverisë.
Pas një seance maratonë projektligji, i cili parashikon 140 milion dollarë investime në infrastrukturë mori 73 vota të mazhorancës.
Opozita, e cila e kundërshtoi fort buxhetin, braktisi sallën para votimit. Debatet kanë qenë mjaft të ashpra me gjithë orët e vona të natës ku kryeministri Berisha është bërë protagonist duke deklaruar se nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj elementëve të inkriminuar në drejtësi dhe politikë.
Sali Berisha: “Vini re atë kryetarin tuaj se si i dridhet zëri kur i kujtohen kilometra të tëra biseda me serial killer që i ka në prokurori. Vini re atë që ka ndërtuar pasuritë mbi klanet më të rrezikshme të drogës. Po u tërheq një nga një edhe ata që kanë lidhje dhe ata që s’kanë lidhje, por vazhdoni sepse fatin e tij e ka përcaktuar droga, e ka përcaktuar parelaria.”
Pandeli Majko: “Erdhi kryeministri juaj, zhveshi xhaketën dhe nxori shpatën kundër KLD-së. Ne që i dimë rregullat e lojës e dimë që brenda kodit të tij ai nuk e kishte sot me opozitën. Diku tjetër e lëshoi thirrjen e tij kreshnike. Punët s’i keni dhe aq mirë, duket shumë qartë. Ajo që kam vënë re është që mos vazhdoni t’i ecni pas ciklit të fundit të këtij të shkreti, i cili nuk ka të ardhme më në politikë”.
Klima e nxehtë karakterizoi punimet e Kuvendit edhe gjatë seancës së paradites ku deputetët i janë rikthyer sherreve të forta me njëri-tjetrin./tvklan.al