Propozimi i Komisionit Evropian për një pasaportë vaksine, i quajtur zyrtarisht ‘Digital Green Pass’ mund të jetë në përdorim në fund të Qershorit ose në fillim të Korrikut. Do të duhen të paktën, tre muaj punë teknike për zbatimin e detajeve konkrete të pasaportës së vaksinimit. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se ekipi i saj së shpejti do të paraqesë një projekt-ligj ku do të prezantohet pasaporta e vaksinimit në të gjithë BE-në. Pasaporta e vaksinimit sipas Von der Leyen do të respektojë mbrojtjen e të dhënave, sigurinë dhe privatësinë e qytetareve evropiane.

Objektivi kryesor i Brukselit është lehtësimi i lëvizjes së sigurt dhe të lirë në BE për punë dhe turizëm. Pasaporta e vaksinimit përveç provave mbi vaksinimin, do të përfshijë gjithashtu rezultatet e testeve të mëparshme Covid-19 për ata që nuk janë injektuar dhe deklaratat mjekësore për ata që janë rikuperuar nga sëmundja dhe supozohet se mbrohen nga antitrupa të përkohshëm. Të gjitha këto garanci mund të mos jenë të mjaftueshme për të shuar dyshimet e kritikëve që argumentojnë se certifikata të tilla do të ndajnë qytetarët në mënyrë të pashmangshme në dy klasa: të vaksinuarit dhe të prekshmit.

Tv Klan