Seanca e radhës ndaj Emiljano Shullazit dhe 4 bashkëpunëtorëve të tij nisi e tensionuar, për shkak të përplasjeve verbale mes të akuzuarve dhe trupës gjyqësore.

Të pandehurit i kanë kërkuar gjykatëses Saida Dollani të tregojë personin që e ka kërcënuar atë apo të afërm të saj, në mënyrë që ata të mos baltosen për këtë gjë. Sipas tyre, gjykatësja po përdor këtë proces gjyqësor për të kaluar Vettingun.

Pas këtyre debateve, gjyqtarja ka urdhëruar largimin nga salla të Gilmando Danit për kundërshtim të gjykatës. Më pas të gjithë të pandehurit e tjerë dhe avokatët e tyre kanë braktiksur sallën në shenjë proteste. Në kushte të tilla, gjykata u detyrua të shtyjë seancën tjetër për në datën 6 Qershor. Po në këtë seancë, anëtarja më e re e trupës gjyqësore Valdete Hoxha kërkoi dorëheqjen nga ky proces per shkak të konfliktit të interesit. Sipas saj, ajo ka gjykuar në Durrës një proces që objekt të saj ka pasur pronësinë e ish-hotel Vollgës, 30% e së cilës zotërohet nga Emiljano Shullazi.

Por aktualisht kjo pronë qëndron e sekuestruar deri në një vendim tjetër gjyqësor. Që prej fillimit të procesit në Gjykatën e Apelit janë shtyrë 10 seanca për shkak se shumica e gjyqtarëve kanë pasur konflikt interesi. Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endri Qyqja, Endri Zela dhe Blerim Shullazi u dënuan me 55 vite burg nga Shkalla e Parë për gjobëvenie ndaj biznesmenit Ylvi Beqja dhe grup të struktuar kriminal.

Tv Klan