Tomorr Alizoti i është shtuar listës së deputetëve që i kërkojnë Lulzim Bashës të mbledhë institucionet e partisë për të adresuar krizën që po kalon kjo forcë politike. Nga mbledhja e grupit, ai akuzoi kryedemokratin se  po “kryqëzon” deputetët që mbështësin foltoret e Sali Berishës.

“Njerëzit nuk duhet të ndalohen të shkojnë ku të duan. Edhe mosvajtja ime në foltore në Berat më ka krijuar kosto, se demokratët janë të mërzitur atje. Në këto raste janë institucionet që zgjidhin problemin. Në PD ka një krizë të madhe. Heshta, heshta, por po flas tani se PD-në e shoh në një rrezik të madh”.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe deputeti Flamur Noka, i cili tha se kryedemokratit se po ndjek metoda bizantine në parti.

“Zoti kryetar duhet gjetur një rrugë që partia të çlirohet nga ky makth. Nuk është zgjidhja ngurtësimi brenda bunkerit. Nuk është zgjidhje përjashtimi. Kuvendi duhet për të rikthyer ligjshmërinë në vendimet e partisë pas vendimit për Sali Berishën,  timin apo edhe të zotit Baçi pa vendim kryesie”.

Ndonëse Lulzim Basha e ka cilësuar strukturë paralele thirrjen e kuvendit kombëtar nga Sali Berisha, Flamur Noka e paralajmëroi edhe jashtë mbledhjes së grupit se ky organ do të mblidhet, pavarësisht ultimatumeve të kryetarit.

“Kërkohet zgjidhje për këtë parti, zgjidhja është përtej karriges së kryetarit apo të çdokujt. Është Kuvendi i PD-së, jo i zotit Basha dhe jo i Nokës. Askush nuk e ndalon dot, përveç sovranit që ka firmosur, që në këtë rast janë delegatët.”

Por Lulzim Basha ashtu sikundër edhe dy ditë më parë ishte i prerë në qëndrimin e tij.

“Interesat e shqiptarëve janë mbi interesat e mia, janë mbi interesat e Sali Berishës. Mbi interesat e gjithkujt është ai i Shqiptarëve, PD do i shërbej këtyre interesave, demokratët mish për top nuk i përdor dot askush”.

Ish-kryeministri Berisha njoftoi se këtë javë do të publikojë datën e thirrjes së Kuvendit Kombëtar.

Tv Klan