Miratimi i qeverisë populiste në Itali ka hapur debatin për vendosjen e taksës së sheshtë. Qeveria e drejtuar nga Xhuzepe Konte ka në plan vendosjen e taksës së sheshtë që zëvendëson tatimin progresiv mbi të ardhurat, një kërkesë kjo e Lega Nord.

Kreu i Lega Nord, Mateo Salvini ka mbështetur vendosjen e kësaj takse, me argumentin se prej saj fitojnë të gjithë dhe nuk avantazhohen të pasurit ndaj të varfërve apo anasjelltas. Sipas tij, taksa u jep mundësi të pasurve të përfitojnë të ardhura më të larta. Por gjithashtu i nxit ata të investojnë për hapjen e vendeve të reja të punës dhe nxit konsumin duke i bërë ata të hedhin më tepër para në treg, çka nxit rritjen ekonomike. Për Salvinin është e arsyeshme që kush gjeneron më tepër para, ka të drejtën edhe të fitojë më shumë.

Por propozimi i Salvinit po has në kundërshtimin e fortë të demokratëve në opozitë, të cilët mbështesin taksën progresive mbi të ardhurat në fuqi prej dekadash. Sipas deputetëve të opozitës, Salvini po përmbys fabulën e Robin Hudit duke e shndërruar në “vjedhje të të varfërve për t’ua dhënë të pasurve”. Aktualisht tatimi mbi të ardhurat në Itali ka tre kategori. Për të ardhurat vjetore mbi 100 mijë Euro paguhet 39%, deri në 33.500 Euro paguhet 33% dhe deri në 26 mijë Euro 23%.

Tv Klan