Vijon me debate seanca plenare në Kuvend. Deputetët e opozitës bllokuan sërish foltoren. Deputetja demokrate, Zheni Gjergji, e cila ishte në takim me studentët e mjekësisë, që po protestojnë jashtë parlamentit, tha se atyre u është mohuar e drejta e dëgjesës. Ajo tha se ata kanë kërkuar që të jenë pjesë e seancës parlamentare.  



“Kërkojnë të jenë pjesë e kësaj seance në parlament ku do të diskutohet e ardhmja e tyre dhe e sistemit tonë shëndetësor. Kanë nisur brenda kritereve një kërkesë drejtuar kryetares Lindita Nikolla, dhe ende deri sot nuk kanë marrë një përgjigje nga zonja Nikolla për të qenë pjesë e seancës”, tha Gjergji.

Deputetja kërkoi që të tërhiqet projektligji për studentët e mjekësisë.

“Ta dini, kur i dëgjoni, do ndiheni të vlerësuar që janë këtu. Janë të përgatitur që për pak ditë e kanë zbërthyer ligjin më mirë se ne bashkë. Tërhiqeni ligjin, konsultojeni, ka ende kohë. Pret koha. Sot e ardhmja e rinisë dhe studentëve nuk presin”, tha deputetja Gjergji./tvklan.al