Berisha: Rama nuk ka shpëtim. Balla: Zhurmë për “21 Janarin”

Mungesa e kryeministrit në seancë dhe refuzimi i kërkesës së opozitës për një mocion me debate me të për çështjen McGonigal ka rikthyer debatet e ashpra në parlament.

“Edi Rama të vijë këtu ose të shpallë dorëheqjen dhe të shkojë të dëshmojë në SHBA”, tha Berisha.

E gjithë opozita në bllok kërkoi që kreu i qeverisë, i cili mungoi në seancën e sotme, të shkonte në parlament për t’u përgjigjur përpara shqiptarëve përse pagoi, sipas saj, ish-zyrtarin e lartë amerikan të FBI-së për të luftuar opozitën.

“Ky kryeministër ka keqshfrytëzuar një njeri të pakarakter në vend që ta denonconte në vendin e tij. E ka përdorur për qëllime të pushtetit të tij”, tha kryedemokrati.

Arsyeja e refuzimit të kërkesës për interpelancë, Taulant Balla, shpjegoi se lidhet me firmën e Sali Berishës në atë dokument dorëzuar Kuvendit.

“Kërkesa pikësëpari është e pabazuar në rregulloren e kuvendit. Çështja që i referohet “non grata” i madh i SHBA po hetohet nga drejtësia amerikane”, tha Balla.

Ky argument e ndezi edhe me tepër situatën.

Sali Berisha: Nuk shpëtoni dot nga kjo ju, jo.

Lindita Nikolla: Zoti Berisha ju tërheq vëmendjen.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe deputetët mbështetës të tij bllokuan foltoren. Pavarësisht paralajmërimeve nga ana e kryeparlamentares askush nga demokratët e ngritur në këmbë nuk lëvizi.

“Hapet votimi për prezencën. Atëherë jepet masa disiplinore për zotin Berisha, të përjashtimit nga seanca plenare”, tha Nikolla.

E nxitur dhe nga kryetari i grupit parlamentar Balla, Nikolla e vijoi seancën mes zhurmës duke miratuar projektligjet në rendin e ditës dhe duke e mbyllur seancën përpara kohe pa lejuar diskutimet nga deputetët.

Por kjo nuk e pengoi Berishën të vazhdojë qëndrimet e tij duke përdorur rrjetet sociale.

“Kemi detyrimin si vend partner i SHBA të bëjmë transparencë të plotë”, tha ai.

Jashtë parlamentit kryetari i Partisë Demokratike ripërsëriti akuzat për Ramën dhe premtoi se opozita nuk do të lejojë të zhvillohet asnjë seancë normale në parlament derisa Rama të përgjigjet përse cënoi sigurinë e SHBA duke korruptuar një zyrtar amerikan për të luftuar opozitën e vendit të tij.

“Unë kam bindjen më të thellë se drejtësia amerikane do të thotë fjalën e saj ndaj këtij krimineli”, u shpreh kreu i PD.

Berisha komentoi edhe një foto të disa viteve më parë ku ai shfaqet me Agron Nezën, i cili përmendet në dosjen e FBI-së për McGonigal.

“Agron Nezën, se ka një fotografi me mua, por të garantoj që mund të jenë sot 100 mijë shqiptarë dhe jo shqiptarë që kanë fotografi me Sali Berishën, por kjo nuk do të thotë se i njoh”, tha ai.

Berisha i përgjigjet pyetjes dhe përse i biri është thirrur në SPAK.

Përpjekja për të mjegulluar aferën Rama-McGonigal me instrumentalizimin e skapit të partisë”, u shpreh ai.

Përballë paralajmërimit të opozitës se nuk do të lejojë me seanca normale, Taulant Balla tha se mazhoranca do të vijojë të rrëzojë çdo kërkesë që mban firmën e Berishës. Sipas tij, hetimet amerikane nuk kanë lidhje me kryeministrin, ndërsa shpjegoi edhe mungesën e tij në parlament.

Opozita kërkoi edhe dorëheqjen e kryetares së Kuvendit, duke e akuzuar se e mbylli seancën parlamentare me qëllim për të mbrojtur kryeministrin Rama.

Tv Klan