Debate për Shqipërinë në PE



Debate për Shqipërinë në PE

15:37 23/06/2020

Vlerësime dhe kritika për procesin e integrimit

Zhvillimet në Shqipëri zunë një vend të rëndësishëm në debatet e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian. Duke përshëndetur marrëveshjen politike për Reformën Zgjedhore, kreu i komisionit David McAllister solli në vëmendje domosdoshmërinë e vënies në zbatim të reformave si kushte te për hapjen e negociatave. Nuk la jashtë vëmendjes edhe shembjen e Teatrit Kombëtar.

“Fatkeqësisht, lajmi i mirë nga Shqipëria që është çuarja përpara e reformës së paprecedentë në drejtësi po humbet në klimën e konflikteve politike dhe mungesës së debatit publik. Shumë prej nesh ishin të shqetësuar nga fakti dhe metodat e përdorura për prishjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar më 17 Maj. Kjo u kritikua gjerësisht si shkatërrim i trashëgimisë kulturore europiane, duke i dhënë goditje shpresës për dialog dhe kompromis”, tha ai.

Drejtuesja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz Calavera sqaroi se 15 kushtet e përcaktuara në rezolutën e miratuar javën e kaluar në PE nuk kushtëzojnë hapjen e negociatave.

“Nuk janë 15 kushte të gjitha, për hapjen e raundin e parë të bisedimeve. Ka kushte që janë të rëndësishme para nisjes së negociatave, ndërsa të tjerat do të plotësohen me përparimin e Shqipërisë drejt Europës”, tha ajo.

Raportuesi tjetër David Lega nga radhët e Partive Popullore Europiane e konsideroi si “fatkeqësi, antikushtetuese dhe të jashtëligjshme” paketën anti-shpifje të hartuar nga qeveria.

Lidershipi në Shqipëri ka tendencën të jetë i ashpër me gazetarët dhe i butë me bosët e drogës. Shqipëria duhet të mbrojë lirinë e shtypit dhe akoma më shumë të punojë për shpërbërjen e grupeve kriminale”, tha Lega.

Ndërsa raportuesja për Shqipërinë, Isabel Santos u ndal te pandemia e cila sipas saj pengoi avancimin e disa reformave dhe ngadalësoi ritmin që kishin para saj.

“Shqipëria është një vend që ka kaluar një polarizim ta skajshëm politik. Aktualisht është në një situatë të vështirë nga pandemia e COVID-19 në të cilën ndodhemi të gjithë. Por pati edhe një krizë tjetër si ajo e tërmetit. Dhe në këtë situatë, palët politike u bënë bashkë për të kapërcyer sfida si reforma zgjedhore. Këtë nuk mund ta injoroj”, u shpreh ajo.

Tv Klan




Të ngjashme