Në Senatin e SHBA-së u kërkua dorëheqja e zyrtarëve të lartë përgjegjës për skandalin e sigurisë ku planet e sulmit të Jemenit u diskutuan në një platformë jo zyrtare e madje në grupin e komunikimit u ftua gabimisht dhe një gazetar.

Senatorët thirrën në seancë dëgjimore drejtoreshën e Komunitetit Kombëtar të Zbulimit, Tulsi Gabbard dhe drejtorin e CIA-s John Ratcliffe. Që të dy pjesë e bisedës në aplikacioni Signal, dëshmuan para Komitetit të Zbulimit të Senatit se nuk ishte shpërndarë asnjë material i klasifikuar.

Senatorët demokratë shprehën skepticizëm rreth këtij pretendimi, duke vënë në dukje se gazetari, kryeredaktori i revistës “The Atlantic”, Jeffrey Goldberg, raportoi se Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth postoi në grup hollësi operacionale në lidhje me sulmet e ardhshme ndaj rebelëve Houthi të Jemenit të lidhur me Iranin.

Ky qëndrim kalorësi ndaj informacionit të klasifikuar është i pamatur, i ngadaltë dhe pabesueshëm,” tha senatori demokrat nga Virxhinia, Mark Warner në seancën dëgjimore. Warner pyeti vazhdimisht drejtoren Gabbard nëse detajet e ndara në aplikacionin Signal ishin konfidenciale dhe nëse jo, i kërkoi t’i ndajë hollësitë e bisedës me komitetin.

“Nëse nuk ka material të klasifikuar, ndaje atë me komitetin,” tha Warner.

“Senator, unë po e përsëris se nuk kishte asnjë material të klasifikuar të shpërndarë në atë bisedë,” u përgjigj Tulsi Gabbard drejtore e Komunitetit Kombëtar të Zbulimit.

Zbulimi i jashtëzakonshëm të hënën shkaktoi zemërim dhe mosbesim në mesin e ekspertëve të sigurisë kombëtare dhe bëri që demokratët dhe disa prej kolegëve republikanë të bënin thirrje për hetim të thellë të asaj që ata e përshkruan si një shkelje të madhe të sigurisë.

“Kjo pakujdesi, kjo paaftësi, ky mungesë respekti për agjencitë tona të zbulimit dhe personelin që punon për to është krejtësisht e papranueshme”, tha senatori Michael Bennet nga Kolorado në një shkëmbim me drejtorin e CIA-s John Ratcliffe. “Ju duhet të bëni më mirë,” shtoi Bennet.

Senatori demokrat Jon Ossoff i Xhorxhias u shfaq i frustruar pasi drejtori i CIA-s Ratcliffe iu përgjigj “nuk më kujtohet” për një sërë pyetjesh në lidhje me përmbajtjen e bisedës në aplikacionin Signal.

“Ne do të marrim transkriptin e plotë të këtij zinxhiri dhe dëshmia juaj do të matet me kujdes ndaj përmbajtjes së tij“, tha Ossoff.

Klan News