Gjiknuri: Të mos përdoren deklaratat politike për të ikur nga tavolina

Rudina Hajdari: Po i bëjnë bisht ndryshimit të sistemit zgjedhor

Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore zhvilloi mbledhjen e radhës, kësaj here në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Përfaqësuesi i mazhorancës Damian Gjiknuri tregoi se në këtë takim ekspertët paraqitën propozimet e tyre dhe është rënë dakord që trajtojnë disa çështje ku mes palëve ka konsensus.

Megjithatë mes opozitës dhe mazhorancës vazhdon të ketë ndasi të theksuara sa i përket depolitizimit dhe Kolegjit Zgjedhor. Këtë gjë e pranoi vetë Damian Gjiknuri.

“Ne i referohemi parimit që rekomandimi i ODHR ka qenë departizim dhe depolitizim. E rëndësishme është që vendimmarrja të jetë jashtë partive, por edhe partive mos t’u hiqet e drejta si garant për të vëzhguar procese zgjedhore. Nuk ka pse deklaratat publike qoftë të kryeministrit, duhet të venë në dyshim punën. Nuk duhen përdorur deklaratat politike për të ikur nga tavolina”, tha Gjiknuri.

Edhe pse përfaqësuesi i mazhorancës tha se mes palëve kishte pasur diskutime për çështjet, sipas Oerd Bylykbashit takimi ka qenë i shoqëruar me debate të forta. Shkak janë bërë deklaratat e Ramës ditën e djeshme, të cilat opozita i konsideron si një tentativë për të minuar Këshillin Politik.

“Patëm një mbledhje me një debat shumë të fortë për sa i përket deklaratave të djeshme të kryeministrit Rama, i cili në mënyrë fare të qartë bëri tentativë të drejtpërdrejtë për të siluruar procesin politik dhe sigurisht dhe atë teknik, pra reformën zgjedhore. Atë që ne i bëmë të qartë maxhorancës sot në Këshill Politik ishte që: Kushtet që ne kemi vendosur mbi tryezë me propozimet tona janë aty mbi tryezë. Ne nuk tërhiqemi nga ato! Jo vetëm që kërkohet vullnet politik që e garanton vetëm qeveria tranzitore, por në asnjë mënyrë nuk do të ketë mundësi kryeministri Rama që marrë në xhepin e tij administratën zgjedhore duke emëruar aty militantë politikë të veshur si të pavarur nga administrata publike. Dhe po ashtu nuk do të ketë mundësi të marrë Kolegjin Zgjedhor për t’i vënë vulën manipulimeve që kryen me administratën e kapur politikisht”, tha Bylykbashi.

Madje sipas përfaqësuesit të opozitës, qeveria është tërhequr nga deklaratat e djeshme të kryeministrit Rama.

“Në debatin që bëmë maxhoranca u tërhoq nga këto qëndrime dhe kjo na jep mundësinë për të vazhduar më tej. Por që të jetë e qartë: opozita jo vetëm nuk do të çedojë nga të gjitha garancitë ndër vite i janë dhënë procesit zgjedhor dhe opozitës në përgjithësi, pavarësisht kush ka qenë në opozitë, por do t’i shtojmë procesit zgjedhor garanci të tjera të cilat do të bëjnë gjithmonë e më të vështirë manipulimin. Sigurisht asnjë nga këto nuk është e mjaftueshme për të garantuar vullnetin politik që e garanton vetëm një qeveri tranzitore. Në debatin tonë ne bëmë të qartë qëndrimin tonë dhe maxhoranca në konsideratën tonë u tërhoq nga ato qëndrime që dje në mënyrë shumë provoktive Edi Rama bëri. Dua të nënvizoj një fakt, ai prononcim pikërisht në momentin që Këshilli Politik po fillonte punën duket qartë që ishte një tentativë për ta nxjerrë nga binarët punën e Këshillit Politik, sepse Edi Ramës nuk i intereson produkti konsensual i reformës zgjedhor por kërkon ta miratojë Kodin Zgjedhor vetëm me votat e tij me ato ndryshime që ai pretendon; që administrata zgjedhore të jetë e emëruar prej tij dhe Kolegji Zgjedhor të jetë i përzgjedhur prej tij t’i vërë vulën manipulimeve. Ne këtë nuk e lejojmë, në këtë Këshill Politik kjo nuk mund të kalojë kurrë”, tha Bylykbashi.

Gjiknuri dhe Bylykbashi u shprehën se këtë të mërkurë kanë dëgjuar ekspertët për propozimet në lidhje me ndryshimin e sistemit zgjedhor, një kërkesë kjo e opozitës parlamentare.

Përfaqësuesi i mazhorancës tha se, propozimet prekin Kushtetutën prandaj do të duhet që debati të jetë më i gjerë. Ndërkohë, ai i opozitës, Oerd Bylykkbashi tha se kjo çështje mbetet e hapur për  t’u diskutuar.

“Kemi një nivel shumë të lartë debati politik. Kjo do të kërkojë kohë. Disa parti në parlament kanë thënë që nuk e votojmë kodin nëse nuk ka kompromis për sistemin zgjedhor”, tha Gjiknuri.

“Sot patëm një raport nga ekspertët në lidhje me kushtetutshmërinë e propozimeve. Çështja është e hapur për të diskutuar propozimet. Çështja kryesore e debatuar sot ishin përpjekjet për të minuar procesin nga kryeministri, gjë që mazhoranca u tërhoq nga ato lloj qëndrimesh”, tha Bylykbashi.

Por me tone të ashpra foli për mediat Rudina Hajdari. Përfaqësuesja e partive opozitare në parlament, tha se opozita jashtë Kuvendit dhe qeveria po i bëjnë bisht sistemit zgjedhor.

“Nuk diskutohet se çfarë thonë kryetarët e partive. Është kthyer në një tavolinë se çfarë tha Rama dhe Basha. Po mundohen t’i bëjnë bisht sistemit zgjedhor. Besoj fort që në këtë vend nuk ka liri as demokraci. Kur jam kthyer në Shqipëri, kam ardhur për këto dy parime, për të fituar lirinë dhe demokracinë. Nuk kam gjetur lirinë sepse kur shpreha mendimin tim u quajta tradhtare. Nuk ka demokraci se kemi një kryeministër. Këta ja shkelin syrin njëri-tjetrit. Kur bëhet fjalë për ndryshimin e sistemit… qershia ishte kur Damian Gjiknuri foli në emër të Petrit Vasilit për ndryshimin e sistemit. Kjo betejë do të jetë përpara. Unë e di shumë mirë që kur ulem në tryezë nuk kam asnjë përfitim personal”, tha Hajdari./tvklan.al