Çështja e kontratave të lobimit të Partisë Demokratike shkaktoi debat në Komisionin e Ligjeve mes kreut të KQZ-së, Klement Zguri dhe deputetëve socialistë. Përfaqësuesit e shumicës kërkuan shpjegime mbi mungesën e hetimeve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për deklarimet e pagesave të Partisë Demokratike, por Zguri bëri përgjegjës anëtarët socialistë pranë institucionit që ai drejton, për mos kryerjen e veprimeve.

“Ka qenë një propozim i administratës i mbështetur prej meje për të pasur hetim të thelluar për këtë gjë dhe është refuzuar nga anëtarët tuaj. Administrata e KQZ me mbështetjen time ka kërkuar në mbledhjen zyrtare hetim të thelluar për rastin konkret. Është refuzuar”!

Pas kësaj deklarate, Televizioni Klan kontaktoi me Nënkryetarin e KQZ-së, Denar Biba, i cili konfirmoi se në mbledhjen e datës 12 Mars të 2018-s ka qenë i vetmi nga anëtarët që ka kërkuar thellim të hetimit lidhur me kontratat e lobimit të Partisë Demokratike, pas një artikulli investigativ të bërë nga revista amerikane “Mother Jones.”

Por sipas Bibës, 4 anëtarët e propozuar nga opozita në KQZ;  Zguri, Hyseni, Shtjefni e Veleshnja ishin në unison kundër thellimit të hetimit, ndaj duke mos pasur kuorum, ka sqaruar Biba, nuk u vijua më tej me procedurën për ta hedhur në votim kërkesën e tij për thellim të hetimit.

Tv Klan