Osmani kundër opinionit te komisionit të Venecias

Apeli nga Komisioni i Venecias për Qeverinë në Shkup “që të rishikohet Ligji i ri për gjuhët dhe të hidhet poshtë dispozita për dygjuhësi në procedurat gjyqësore”, siç shkruan në vetë titullin e përmbledhjes së ekspertëve juridikë në Këshillin e Evropës, sipas zv/kryeministrit Bujar Osmani në fakt është lënie e hapësirës që qeveria vetë të vlerësojë në qoftë se ka ose jo ngadalësim të punës në sistemin gjyqësor, edhe pse në përmbledhje shkruan se “kjo qasje mund të ngadalësojë funksionimin e sistemit gjyqësor në tërësi, duke rrezikuar shkeljen e të drejtës për gjykim – fer”.

“ Komisioni i Venecias nuk thotë që të hidhet poshtë dygjuhësia në sistemin gjyqësor, thotë se ndoshta për momentin nuk ka kapacitete, kështu që qeveria, përkatësisht shteti të mendojë që përkohësisht ta prolongojë zbatimin, derisa të krijohen kapacitete ose të krijojë kapacitete. Të menduarit shëndetshëm është – të krijojmë kapacitete”.

Sipas Osmanit, Komisioni i Venecias ka qëndrim pozitiv rreth çështjes së dygjuhësisë në uniformat e ushtrisë dhe të policisë, si dhe të parave në vend, për çka kryesisht u kërkua mendim nga ky organ. Megjithë këtë, konsideron se përveç kyçjes eventuale të kësaj pjese në nenin 8, nuk duhet të ketë ndryshime tjera në ligjin i cili tashmë është në fuqi. Në të kundërt, siç tha, çdo përpjekje e njëanshme për zhvendosje të ekuilibrit në marrëdhëniet ndëretnike do të jetë në dëm të shtetit.

Tv Klan