Ka përfunduar rreth orës 19:00 të kësaj të premteje mbledhja e Komisionit të Reformës Elektorale, që ka pasuar atë të Këshillit Politik. Në këtë mbledhje, negociatorët dhe ekspertët e pavarur, por dhe ata politikë, kanë diskutuar për dy çështje, rolin e medias në fushatat elektorale, si dhe fushatat elektorale të partive politike.

Por gjatë ditës së sotme ka pasur një mbledhje ku janë informuar anëtarët e Komisionit të Reformës Elektorale në lidhje me gjithë ecurinë e deritanishme të amendimeve që janë bërë në kodin elektoral.

Gazetarja e TV Klan, Jolldis Mitro, në një lidhje direkte për edicionin informativ u shpreh se pas kësaj mbledhjeje, bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës, Damian Gjiknuri, është shprehur për mediat se mazhoranca i qëndron marrëveshjes së 5 Qershorit dhe se çështje të sistemit elektoral për ndryshim kushtetues, që kërkohen nga opozita parlamentare, është pjesë e diskutimeve në një fazë të dytë në Komisionin e Reformës Elektorale.

Sipas Gjiknurit do të jetë gati drafti me të gjitha ndryshimet në kodin elektoral, brenda ditës së martë për të mbërritur në tryezën e Komisionit e për tu diskutuar dhe më pas për të kaluar për votim në Parlament.

Ndërkaq ka pasur një draft me 29 firma nga përfaqësuesit e opozitës parlamentare, ku kërkojnë  lista të hapura, ndryshim kushtetues sa i përket sistemit, një sistem proporcional, ulje të pragut elektoral, si dhe njëherazi kërkojnë që të përjashtohen koalicionet paraelektorale.

Po ashtu kërkojnë edhe depolitizimin e administratës, si dhe votën e emigrantëve, kërkesa të cilat kanë kushtëzuar votën për miratimet e ndryshimit të kodit elektoral. Opozita parlamentar shprehet se pa votuar këto, nuk do ta votojnë. /tvklan.al