“Inceneratori i Fierit nuk ka përfunduar, në Elbasan prodhohet energji”

Është zhvilluar me tone të forta në studion e “Opinion” debati mes kryeministrit Edi Rama dhe gazetarëve në lidhje me inceneratorët pas akuzave të PD-së.

Kryeministri solli në studio disa pamje që sipas tij tregonin ndryshimin mes trajtimit të mbetjeve në kohën e PD-së dhe në qeverisjen e PS-së.  

Sa i përket inceneratorit të Fierit, kreu i qeverisë tha se nuk ka mbaruar investimi. Ai u shpreh se shtyrja ka ndodhur për shkak të protestave dhe bllokimeve nga opozita. Megjithatë sipas tij projekti përfundon në fund të vitit.

Kreu i qeverisë ktheu përgjigje edhe për inceneratorin e Elbasanit. Sipas tij, ky incenerator është në punë dhe prodhon energji, por për shkak të një problemi me autoritetin rregullues nuk ka marrë para.

Blendi Fevziu: Ku është inceneratori i Fierit?

Edi Rama: Ja ta nxjerrin atje mbrapa.

Blendi Fevziu: Ky ekziston?

Edi Rama: Po.

Armand Shkullaku: S’ka asgjë brenda.

Edi Rama: Ne po ndërtojmë këtë. Ja ku e ke.

Armand Shkullaku: Edi Rama nxjerr një video dhe vë një PD aty, por ajo mund të jetë PS.

Edi Rama: More zotëri…

Blendi Fevziu: A punon, a s’punon?

Armand Shkullaku: Nuk punon asnjë incenerator, as Elbasani, as Fieri, as Tirana. Nuk punojnë, është 3D. I ka marrë të gjitha lekët ai.

Blendi Fevziu: Rama, e kapim konkret. Punon inceneratori i Fierit?

Edi Rama: (I drejtohet gazetares) Po si s’të vjen zor? Si e ke Tiranën?

Fatjona Mejdini: E ke të mbushur me plehra. 

Edi Rama: Ti e ke me qytetin, me mbledhjen e mbeturinave? Do flasim për qytetin të sjell lalin, të flasë lali.

Armand Shkullaku: Ai të rregullojë lopën, të çojë lopën…

Edi Rama: Nuk merrem me mbledhjen e mbeturinave në Tiranë.

Armand Shkullaku: Lalit ia ke lënë të gjitha dhe lyerjen e pallateve dhe lopën…

Edi Rama: Po të them që ajo është situata e 30 vjetëve që është si e do PD dhe 30 të tjera. Kjo është si e dua unë dhe si e duam ne Shqipërinë në aspektin mjedisor. Urdhëro se çfarë bëhej dhe çfarë bëhet nëse nuk bëhet kjo dhe shiko çfarë po bëhet në Fier.

Blendi Fevziu: Punon?

Edi Rama: Nuk ka mbaruar investimi…

Blendi Fevziu: A në rregull?

Edi Rama: Nuk ka mbaruar investimi. Në Dhjetor do vini, ju ftoj të shikoni që do të fillojë puna atje në Fier. Po kështu edhe Elbasani. Ky më thoshte që nuk prodhon energji. Ja Elbasani, PD-ja dhe ne.

Blendi Fevziu: Kjo është propagandë…

Edi Rama: Si është propagandë?

Blendi Fevziu: Pushteti lokal i PS në Elbasan nuk merr në dorëzim inceneratorin se nuk ka plotësuar kontratën. Jep përgjigje.

Armand Shkullaku: Elbasani nuk punon, mor burrë. Elbasani nuk është incenerator. Kapsulon mbetjet, nuk djeg. Tre herë është ndezur gjithsej.

Edi Rama: Shkullak, nëse inceneratori i Elbasanit prodhon energji që prej 2017, nëse energjia ka shkuar për nevojat e impiantit dhe kjo është në një sahat e OSHEE dhe impianti prodhon energji që nga 2017-a dhe arsyeja pse nuk ka marrë asnjë kokërr leku për këtë është sepse autoriteti nuk i ka dhënë çmimin dhe ata janë në gjyq, ti a do dalësh këtu dhe të thuash që unë o shqiptar jam një njeri që flas pa lidhje sepse Edi Ramën e dua shumë. Sepse është kulmi… Ka që në 2017 që prodhon energji.

Armand Shkullaku: Ku e ke dokumentin që prodhon dhe sa energji?

Edi Rama: Unë nuk jam faturist i OSHEE. E përdor për nevojat e veta. Nuk ka marrë qindarka sepse autoriteti rregullator nuk i jep çmimin. Nëse ti shikon sahatin, do thuash që dashuria ime për Edi Ramën është kaq e madhe saqë është kthyer në verbëri dhe unë do të them që ky s’do asgjë, do dalësh?

Armand Shkullaku: Po. Po, e kam gabim, e kam gabim.

Blendi Fevziu: Kur përfundon Fieri?

Edi Rama: Fieri përfundon në Dhjetor. Ka pasur 1 vit e gjysmë vonesë jo për shkak të investitorit, por për shkak të palës sonë, sepse ishin protestat, bllokimet, përpjekjet për t’iu thonë që ore jeni në vete, këtu po vihet që të shpëtoni ju. Është ndryshuar vendi dy herë dhe kjo nuk është e investitorit, por këto nuk i di kjo …

Fatjona Mejdini: Unë i di se i kam takuar ata banorë.

Edi Rama: Pusho, pusho. Pusho të mbaroj unë.

Fatjona Mejdini: M’u drejtove…

Edi Rama: Lëre të mbaroj unë… Pusho të mbaroj unë sepse jeni përgjegjës për një helmim të dyfishtë të këtij populli me ato që bëni. Helmimi i plehrave dhe helmimi juaj që i merrni gjërat gjysmë të vërteta dhe gënjeshtër më të madhe se gjysmë të vërteta nuk ka.

Fatjona Mejdini: Jo.  Në fushën e Myzeqesë…

Edi Rama: Nuk do të pyesim fare se ku ndërtojmë. Ti ke për detyrë të japësh informacion dhe jo të shesësh gjysmë të vërteta.

Fatjona Mejdini: Kam dhënë zërin e qytetarëve që kundërshtonin.

Edi Rama: Ti shet gjysmë të vërteta dhe shitja e gjysmë të vërtetave është helmimi më i madh që i bëhet popullit shqiptar. /tvklan.al