Shpëtimi i Alvin Berishës nga kampi i Al Hol tërhoqi vëmendjen e opinionit publik gjatë javës së kaluar. Tashmë i takon radha personave të tjerë shqiptarë të cilët ndodhen në kampe të tilla që të shpëtohen.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan se plani që ishte përgatitur për shpëtimin e tyre u shkatërrua për shkak të ndryshimeve në rajon. Megjithatë ai theksoi se po punohet për një plan tjetër.

Koha e ndërhyrjes e palës shqiptare për shpëtimin e shqiptarëve që ndodhen në Siri u shoqërua me një debat mes ministrit Lleshaj dhe gazetares Klodiana Lala.

Klodiana Lala: Për 8 muaj ju nuk bëtë asgjë. Nga Marsi deri në Tetor.

Sandër Lleshaj: Nëse ju mendoni se nuk kemi bërë asgjë, nuk kemi bërë asgjë.

Klodiana Lala: Më thuaj një të kthyer me ndërmjetësim të Ministrisë së Brendshme. Ju thoni kemi bërë përgatitje 8 muaj, por ndërkohë…

Sandër Lleshaj: Në qoftë se kemi shpëtuar një person…

Klodiana Lala: Kë keni shpëtuar? Alvin Berishën që ndërhynë italianët…

Sandër Lleshaj: Do bësh pyetje apo komente, se me komente nuk flas unë.

Klodiana Lala: Kam të drejtën edhe të komenteve.

Sandër Lleshaj: Jo nuk kam ardhur për komente. Nuk komentoj me ju.

Klodiana Lala: Këtë e vendos drejtuesi i emisionit nuk e vendosni ju.

Sandër Lleshaj: E vendos edhe unë. Komete nuk bëj unë. Më bëj pyetjen. Zonja Lala kam ardhur me idenë se gazetarët bëjnë pyetje.

Klodiana Lala: Po të bëj pyetjen. Nga Marsi në Tetor çfarë bëtë? Goditja e grupit xhihadistëe ka ndodhur në vitin 2014. Ne nuk e kishim të panjohur situatën.

Sandër Lleshaj: Rënia e ISIS ka shtruar çështjen e tërheqjes së luftëtarëve.

Klodiana Lala: Po ju pyes konkretisht për një periudhë 8-mujore ku ju nuk keni bërë asgjë përveçse flisni për plane në letra.

Sandër Lleshaj: Për këto flisni nesër në gazeta. Gjithë çështja për shpëtimin e fëmijëve ka lindur pas lindjes së ISIS si entitet. ISIS nuk ka rënë para dy vjetësh.

Klodiana Lala: Në muajin Mars deri kur hynë turqit janë 8 muaj zoti ministër. Është kohë shumë e gjatë për ta bërë.

Sandër Lleshaj: Sikur të ishit ju ndoshta do e kishit bërë. Nuk është aq kollaj atje.

Klodiana Lala: Nuk po pretendoj se është kollaj.

Sandër Lleshaj: Zonja Lala mundoheni për hir të gjërave shiheni pozitiv. U shpëtua një njeri. Kur shpëtohet një njeri mund të jetë shpëtuar një qytetërim i tërë, një fis i tërë që shpresoj se vjen pas atij djali. Është bërë shumë edhe me një njeri.

Klodiana Lala: Kjo është shumë patetike zoti ministër.

Sandër Lleshaj: Është realiste. /tvklan.al