Figura qendrore e debatit ishte sipërmarësi Vivek Ramaswamy, mungoi Trump

Kandidatët republikanë që garojnë për president të Shteteve të Bashkuara, zhvilluan debatin e parë televiziv në kanalin televiziv Fox News.

Ashtu siç edhe pritej ish-presidenti Donlad Trump nuk mori pjesë në debat me arsyetimin se nuk mund të përballet me kandidatë të dobët.

Edhe pse pritej që guvernatori i Floridës Ron DeSantis të ishte objektivi i sulmeve, kjo nuk ndodhi.

Kandidatët vunë në shënjestër kandidatin, sipërmarrësin Vivek Ramaswamy, mbështetja ndaj të cilit ka filluar të rritet kohët e fundit.

Ai ishte figura qendrore e natës ndërsa debatoi me ish-guvernatoren e Karolinës së Jugut Nikki Haley për politikën e jashtme të Uashingtonit dhe me ish-guvernatorin e Nju Xhersit, Chris Christie për mbështetjen e tij për Trumpin.

Ish-zëvendës presidenti Mike Pence, i cili u përpoq të pozicionohej si kandidati më me përvojë, sulmoi kandidatin 38-vjeçar Vivek Ramaswamy për mungesën e përvojës në politikë.

Në debat u fol edhe për problemet ligjore me të cilat po përballet ish-presidenti Donald Trump.

Kandidatët republikanë në përgjithësi u pajtuan se, Pence bëri gjënë e duhur më 6 Janar 2021 duke mos zbatuar kërkesën e Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

Ndër të tjera ata kritikuan ashpër Presidentin Joe Biden për çështje si ekonomia dhe shpenzimet e tepruara qeveritare. Kandidatët e tjerë kritikuan gjithashtu demokratët për çështje të ndryshme, duke përfshirë sigurinë publike dhe emigracionin.

Klan News