Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Nano dhe Berisha, liderët e dy partive më të mëdha në vend, mund të debatojnë me njëri-tjetrin, javën e ardhshme në ekranin e TV Klan. Kryetari i PD Sali Berisha i ka deklaruar dje gjatë një takimi me përfaqësues të mediave, se ai pranon ftesën e gazetarit Blendi Fevziu, për një ballafaqim televiziv me liderin socialist Nano në Klan përpara zgjedhjeve të 24 Qershorit.

Debati Nano-Berisha, i diskutuar shumë në dy javët e fundit, mbeti fillimisht peng i disa pretendimeve. Lideri i PD kërkoi një ballafaqim me stafe, ndërsa Nano një ballafaqim direkt. Më pas Nano kërkoi të ballafaqohet duke i lënë Berishës zgjedhjen e formës dhe të kanalit televiziv. Duket se pranimi që Berisha i ka bërë dje ftesës së gazetarit Blendi Fevziu, i jep fund dilemave të ballafaqimit mes dy liderëve të partive më të mëdha politike shqiptare./tvklan.al