Teatër i ri apo rikonstruksion të të vjetrit? Bjarke Ingels, arkitekti i të riut, nuk ka asnjë mëdyshje. Godinat e vjetra është e pamundur të mbahen në këmbë.

“Ne e studiuam me shumë kujdes hapësirën dhe mundësinë e përdorimit të dy godinave ekzistuese, por ato janë jashtëzakonisht të ngushta. Godina aktuale thjesht nuk e ka gjeometrinë, nuk e ka hapësirën, për të qenë një Teatër Kombëtar i vërtet. Ne mund të bënim disa shtesa tek godinat ekzistuese por në fund do të kishim dy volumet gjatësore dhe do bënim shtesa të tjera në lartësi dhe anësore. Do të bëhej pak si një ndërtesë ‘frankenshtein’, kjo do të ishte jo praktike, aspak elegante dhe shumë shumë e shtrenjtë si ndërhyrje”.

Teksa përfshihet për herë të parë në këtë debat, arkitekti danez, thotë për gazetarët shqiptarë që takon në Barcelonë gjatë konkursit për hapësirat publike, merr si shembull pikërisht Barcelonën dhe debatin e zhvilluar tre dekada më parë për Muzeun e Artit Bashkëkohor.

“Shumë pranë me hapësirën ku ndodhemi (Qendrën Kulturore Bashkëkohore të Barcelonës), ndodhet Muzeu i Artit Bashkëkohor të Barcelonës. Edhe në këtë hapësirë ndodheshin disa ndërtesa ushtarake të vjetra në atë kohë që u shembën. Patjetër që edhe atëherë kishte njerëz të shqetësuar që pyesnin çfarë po ndodh, përse po i ndryshoni gjërat, çfarë do të ndërtohet. Por mendoj se po ata njerëz sot, 30 vjet më vonë, janë tejet të lumtur që morën këto vendime të rëndësishme në vitet ’80, dhe mendoj që Tirana ndodhet në një moment të ngjashëm sot”.

Kur flet për Teatrin e ri Kombëtar, e lidh atë me të gjithë transformimin urban të qendrës së Tiranës.

“Pra krijon një hapësirë të re publike, krijon një godinë që është e hapur ndaj hapësirave që e rrethojnë, që do të thotë se funksionet sociale: holli, restorantet, baret, do të jenë të aksesueshme. E gjithë hapësira funksionale e teatrit, skenat anësore, nënskena, mbiskena, dhe aty ku stafi i teatrit do të përgatisë shfaqjet apo skenarin do të jenë transparente për kalimtarët e rastit”.

Detajet për projektin nuk mungojnë, si një garanci për artistët që e kundërshtojnë prishjen e godinës së vjetër, për të pasur një skenë të denjë.

“Teatri i ri Kombëtar që kemi projektuar do të ketë dy teatro eksperimentalë që janë tejet të ngjashme me skenat ekzistuese, por do të ketë edhe një skenë të mirëfilltë teatrale që do të ketë mbiskenë, nënskenë, skenat anësore. Pra do të ketë tre hapësira për shfaqje të mbuluara në teatrin që kemi projektuar, dhe njëra prej tyre do të përmbushë të gjitha kushtet të cilat nuk është e mundur të shtohen në godinat ekzistuese”. 

Për të hartuar projektin e Teatrit Kombëtar, arkitekti thotë se ekipi ka punuar 1 vit dhe premton një godinë spektakolare, një ndër më të bukurat për kryeqytetin shqiptar.

Tv Klan