Në seancën e sotme plenare po zhvillohet një interpelancë me kryeministrin Edi Rama në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar. Opozitarja Rudina Hajdari tha gjatë fjalës së saj që me këtë akt e gjithë bota ka kuptuar fytyrën e vërtetë të Ramës.

Sipas saj, kreu i qeverisë ka qenë prej kohësh i fiksuar me truallin e teatrit pasi e do për të ndërtuar kulla.

“Sot ju e dini që e kanë kuptuar shqiptarët që keni 7 vite si kryeministër, por më tepër kemi një botë të po e kupton fytyrën tënde të vërtetë për të shembur godinën. Dua t’ju kujtoj se keni pasur obsesion me këtë teatër, por jo vetëm me teatrin, me truallin. Ju doni truallin në mes Tiranës, prandaj e shembët. Ju duhet sepse doni të ndërtoni kulla”, tha Hajdari.

Deputetja opozitare pyeti kryeministrin nëse siguron se teatri do të ndërtohet nga shteti ndërkohë që vetë Bashkia ka thënë që nuk i ka paratë. Hajdari shtoi se shembja e teatrit ka qenë tentativë vrasje sepse në godinë ka pasur njerëz gjatë prishjes.

“Më e keqja e atij teatri ka qenë ora 4 e 30 e mëngjesit. Në ndërtesë ka pasur njerëz. Kur është shkatërruar teatri ka pasur njerëz në godinë, mbi godinë dhe ju e keni shkatërruar, duke bërë kështu tentativë për vrasje. Nuk keni pyetur për artistë, as për njeri”.

Hajdari e krahasoi Ramën me ish-kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski.

“Sot jeni shndërruar në një Nikola Gruevski që e rrafshoi qendrën e Shkupit e bëri siç donte vetë dhe ndërtoi monumente të pakuptimta. Sot jeni po ai njeri dhe do keni p të njëjtin fat dhe do të mbaheni mend për të njëjtat gjëra”, tha ajo./tvklan.al