Opozita e vendosur të vijoje me bllokimin e Kuvendit

Në prag të seancës së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së ku do të diskutohet për hapat që do të ndërmerren më tej edhe sot kanë vazhduar përplasjet mes pushtetit dhe opozitës lidhur me çështjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Nga VMRO-DPMNE thonë se ato janë të pashmangshme.

Naum Stoillkovski: LSDM dhe Dimitar Kovaçecski ikin nga takimi i liderëve me qëllim që të mos hapet çështja e zgjedhjeve të shpejta të parakohshme parlamentare që në fakt janë të pashmangshme.

Ndërsa nga pushteti theksojnë se zgjedhjet do të mbahen në afatin e rregullt në vitin 2024, dhe se po rezultojnë të pasuksesshme tentimet e VMRO-DPMNE-së për bllokim të Kuvendit.

Bogdanka Kuzeska: Kaloi një javë dhe Kuvendi edhe përskaj tentimeve të Mickoskit për bllokim, funksionon. Asgjë nuk u arrit përveç që u zvarrit rendi i ditës dhe krijoheshte kaos në seancë. VMRO-DPMNE nuk fitoi asgjë.

Kundër zgjedhjeve është shprehur edhe partneri i koalicionit Alternativa.

Afrim Gashi: Është legjitime që secila parti opozitare të kërkojë zgjedhje, edhe ne i kemi kërkuar kur kemi qenë në opozitë, por po të kishim menduar ne se zgjedhjet janë opcion dhe zgjidhje në këtë moment, ne nuk do të ishim fut në Qeveri, para tre muajve… Natyrisht në moment kur parlamenti ka 61 vota për të shkuar në zgjedhje ne duhet ta respektojmë atë vendim, por Alternativa është kundër zgjedhjeve.

Kreu i Lëvizjes BESA Bilall Kasami tha se nëse nuk ka zgjedhje të parakohëshme, do të kërkojnë nga partnerët ndërkombëtarë mekanizma shtesë për kontroll të qeverisë.

Bilall Kasami: Ne nuk do të hyjmë me kërkesë për zgjedhje që të krijojmë probleme shtesë për shtetin dhe qytetarët. Por njëkohësisht kërkesa jonë nga partnerët ndërkombëtarë është se duhet të kemi mekanizma shtesë për kontroll të qeverisë.

Pothuajse të gjitha partitë politike janë deklaruar kundër zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare në këtë kohë krize, por opozita maqedonase insiston për takim liderësh ku do të diskutohej një gjë e tillë. Ata madje kanë filluar bllokimin aktiv të Kuvendit si një prej hapave radikal që kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin në vazhdim.

Klan Macedonia