Pas dhjetë muajsh punë, komisioni parlamentar për dëbimin e shtetasve turq nga Kosova ka miratuar raportin ku saktësohen 31 shkelje.

Ndërsa përmendet fakti se Presidenti Hashim Thaçi nuk ka dhënë dëshmi që vërteton ose mohon se ka ditur për operacionin.

“Ky raport i komisionit parlamentar do t’i shkojë seancës plenare për miratim si dhe në prokurori. Tashmë është bërë e qartë se urdhërues për këtë se çfarë ka ndodhur është vetë Presidenti Hashim Thaçi”

, tha kryetari i këtij komisioni.

Thaçi javë më parë ishte në komision për të raportuar, por debati degradoi pasi Presidenti kritikoi punën e ekspertit ndërsa nuk u kursyen as nga ofendimet individuale.

Kryesuesi i komisionit Xhelal Sveçla tha se të gjitha akuzat ndaj ekspertit kanë rezultuar të kota.

“Të gjitha ankesat për anshmërinë e ekspertit të pavarur janë zhdukur kur jemi futur në substancë të të gjeturave. Refuzimi i disa dëshmitarëve kanë penguar procesin nga Presidenti e deri tek niveli më i ulët”.

“Ky skenar i tyre shihet qartazi që është tendencë për ta denigruar dhe për ta penguar përfundimin e kësaj pune”

, thotë Driton Selmanaj, anëtar i komisionit.

Gjashtë shtetas turq janë dëbuar nga Kosova vitin e kaluar për të cilën Kryeministri Haradinaj shkarkoi drejtorin e AKI-së dhe ministrin e Punëve të Brendshme.

Në Mars gjatë raportimit në komision kreu aktual i AKI-së e kishte pranuar se ky institucion e ka shkelur ligjin. Vërejtje shtetit të Kosovës për këtë rast i pati dhënë edhe SHBA, ndërsa kjo vërejtje është përkrahur edhe nga ambasada e Britanisë dhe ajo e Gjermanisë në Kosovë.

Tv Klan