Departamenti Amerikan i Shtetit ka përgëzuar vendimin e qeverisë shqiptare për të dëbuar dy diplomatët iranianë. Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka shpërndarë këtë të premte deklaratën e zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus, ku thuhet se Irani vazhdon të përdorë mjetet diplomatike në Europë dhe vende të tjera si maskim për të komplotuar sulme terroriste.

“Ne përgëzojmë vendimin e qeverisë shqiptare për të dëbuar dy të ashtuquajtur diplomatë iranianë. Regjimi i Iranit vazhdon të përdorë mjetet e tij diplomatike në Europë dhe vende të tjera, si maskim për të komplotuar sulme terroriste, si dhe për të kërcënuar dhe përgjuar iranianët që jetojnë jashtë vendit të tyre”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus.

Dy diplomatë iranianë u shpallën “non grata” të mërkurën nga autoritetet shqiptare. Ata janë Mohamad Ali Arz Peimanemati dhe Sejed Ahmad Hoseini Alast. Sipas Ministrisë së Jashtme, këta persona kanë zhvilluar veprimtari që nuk përputhej me statusin diplomatik.

Me dy diplomatët numri i të dëbuarve në këtë Ambasadë shkon në katër. Në vitin 2018, Tirana shpalli persona të padëshirueshëm edhe Ambasadorin e Iranit në vendin tonë, Golamhosein Mohamadnia dhe një përfaqësues tjetër diplomatik, për të njëjtin motiv./tvklan.al