Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje kryebashkiakëve demokratë të mos bien viktimë e katër liderëve të opozitës duke nxjerrë pengesa për zgjedhjet e 30 Qershorit.

Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i ekzekutivit shkroi: “Kryebashkiakë demokratë! Mos bini viktimë e katërshes Sali Berisha,Ilir Meta, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi duke nxjerrë pengesa për zgjedhjet. Referojuni ligjit jo hallit të tyre të madh e as zhurmës së tyre të kotë. Nuk ju nxori PS nga gara po ata dhe ata duhet të përgjigjen para jush, jo ju para tyre. Ligji s’ka mëdyshje.

Thirrja erdhi pasi më herët, bashkia e Shkodrës, Burrelit dhe Kukësit përmes shkresave zyrtare drejtuar Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor dhe KQZ-së, i kërkuan lirimin e menjëhershëm të pallateve të sportit dhe palestave sportive të shkollave në këto qytete.

Nuk ka vonuar as përgjigja e kryetarëve të bashkive, të cilët, sipas një deklaratë të publikuar nga Partia Demokratike, thanë se po zbatojnë dekretin e Presidentit për anulimin e datës 30 Qershor. Ata madje i kujtojnë kryeministrit Rama se është  “kokë e këmbë në paligjshmëri!

Qeveria e drejtuar prej teje ka botuar në Fletoren Zyrtare dekretin e Presidentit. Siç mund ta dish fare mirë, në Fletoren Zyrtare publikohen aktet ligjore të detyrueshme për zbatim në Republikën e Shqipërisë. Mos u lodh me urdhra pa vlerë që nxisin militantët e tu në KQZ të na kërcënojnë me ndjekje penale, sepse, për sa kohë nuk ekziston një datë zgjedhjesh, as zgjedhjet nuk ekzistojnë. Kushdo që vepron ndryshe, është në paligjshmëri! Zoti Kryeministër, kur Presidenti të shpallë një datë të re zgjedhjesh, atëherë gatishmëria jonë për respektimin e ligjit, do të jetë, si gjithmonë, maksimale. Hallin e datës 30 nuk ta zgjidhim dot ne! Je që je kot dhe sillesh nëpër Shqipëri si qyfyrexhi, jepi urdhër KQZ-së të shpallë menjëherë nisjen e negociatave me BE-në!”, thonë kryetarët e Bashkive demokrate. /tvklan.al