Banorët e Prokopyevskut në Rusi janë tmerruar mëngjesin e së dielës kur u zgjuan dhe panë oborret dhe shtëpitë e mbuluara nga dëbora e zezë.

Besohet që ky fenomen të jetë pasojë e ndikimit në ambient të një fabrike për përpunimin e qymyrit. Shumë banorë shprehën shqetësim për shëndetin e fëmijëve të tyre teksa të gjitha fushat dhe oborret e shkollave ishin mbushur me dëborën e pistë. Sipas “Al Jazeera”, shumë të tjerë besonin se ajo mund të ishte toksike.

Prokopyevsk është vetëm një prej qyteteve të ndikuara në rajonin siberian të Kuzbassit, ku banojnë rreth 2,6 milionë banorë. Në Kuzbass ndodhet një prej fushave më të mëdha me qymyr në botë. Shkak i ngjyrimit mësohet të jetë bërë pluhuri që ka rënë mbi dëborë nga fabrikat e përpunimit të qymyrit në zonë. Hetuesit kanë nisur hetimet për të kontrolluar nëse kanë shkelur standardet duke shkaktuar ndotje të madhe në ambient./tvklan.al