Prej 3 ditësh, rruga që të çon drejt Thethit është e bllokuar për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.

Banorët janë të izoluar dhe e kanë të pamundur të lëvizin me automjete. Ata detyrohen të ecin në këmbë duke përshkuar për rreth 4-5 orë. Sipas banorëve të zonës, rruga e bllokuar nga 60 centimetër dëborë është 5 kilometra.

Ata i bëjnë thirrje autoriteteve përkatëse që firmat pastruese të zhbllokojnë rrugën. Banorët shprehen se kjo problematikë po penalizon edhe turizmin në këtë fshat, pasi qytetarët kanë bërë rezervime për fundjava dhe për festat, por e kanë të pamundur që të shkojnë nëse rruga vijon të qëndrojë e bllokuar.

“Unë jam një banor i fshatit Theth. Quhem Gjon Shpella, i bujtinës Shpella. Në Qafën e Thores rruga momentalisht është e bllokuar prej 3 ditëve. Janë mbi 180 banorë në fshatin Theth, ku janë totalisht të bllokuar. Ka shumë njerëz që po kërkojnë të shkojnë në Theth por është e pamundur. Absolutisht që nuk është e mundur të shkosh në Theth, vetëm këmbësorisht. Ka disa fshatarë që vijnë në këmbë me ngarkesë, i bëjnë 5 orë në këmbë. Qeverisë shqiptare i kërkojmë thjesht të mundohet sado pak, gjënë më minimale që është, ta hapin të paktën rrugën, se s’po i kërkojmë asnjë gjë tjetër. Ne po i paguajmë me taksat tona. Kjo rrugë po ndërtohet, faleminderit çdo gjë që bëhet e mirë për Thethin, por ne po kërkojmë të paktën që të hapet rruga prej borës”.

“Quhem Nik Guri, edhe unë një përfaqësues i bujtinës Vëllezërit Guri. Kemi shumë rezervime, si për Krishtlindje, si për fundjavat. Rruga është e bllokuar 3 ditë edhe po vazhdojmë në këmbë. Unë bëj thirrje thjesht shtetit shqiptar që të merret edhe me ne, edhe me këtë firmën që është firma ndërtuese pse është lënë pas dore kjo rrugë”.

“Jam banor i Thethit. Ne kërkojmë vetëm zhbllokimin e rrugës se është pothuajse 4-5 kilometra e bllokuar. Janë banorët të izoluar, edhe turistët që kërkojnë të vijnë për fundjava, për Krishtlindje, për Vit të Ri. Nuk kërkojmë ndonjë gjë të madhe, është thjesht 4-5 kilometra rrugë që është e bllokuar me 60 centimetër borë”. /tvklan.al