50 centimetra ka arritur trashësia e dëborës në qytetin e Peshkopisë, ndërsa në zonat e thella tashmë ka kaluar një metër, duke izoluar kështu thuajse të gjithë fshatrat. Kjo situatë ka bërë që qarku i Dibrës të ngrejë Shtabin e Emergjencave.

Veç rrugëve rurale që janë të gjitha të bllokuara, situata paraqitet problematike edhe në rrugën nacionale Peshkopi – Tiranë e cila është e bllokuar në 2 segmente në Qafën e Ulzës dhe në Bulqizë, nga pishat deri në Qafë të Buallit .

Peshkopi – Kala e Dodës Kukës kalohet vetëm me automjete të kalueshmërisë së lartë me zinxhirë deri në Sllovë, më tej e bllokuar. Trashësia e borës kalon mbi 1 metër dhe është e pamundur sapo kalon borë pastruesja bllokohet për 10 minuta.

Gjatë natës, në aksin Peshkopi-Tiranë ka qenë edhe prefekti i Dibrës. Në këtë aks nuk kanë munguar as aksidentet. Probleme ka edhe në aksin Bajram Curri-Valbonë ku ka rënie orteqesh në 2 vende duke bllokuar qarkullimin, dhe po punohet për hapjen e rrugës.

I njëjti fenomen ka ndodhur edhe në Qafën e Malit – Fierzë në vendin e quajtur “Arstë” dhe “Porav”. Në Shkodër, borëpastrueset po mbajnë hapur rrugët nacionale në territorin  e Qarkut të Shkodrës.

Një borëpastruese po punon gjatë gjithë kohës në aksin Shkodër-Hani i Hotit, reshjet e dëborës janë intensive. Ndërsa vështirësitë më të mëdha janë në rrugët rurale dhe lidhja e tyre me rrugët kryesore. Rrugët lidhëse janë thuajse të pakalueshme. Banorët detyrohen të ecin në këmbë.

Reshjet e dëborës në gjithë qarkun e Shkodrës kanë vijuar të bien pa ndërprerje për 24 orë duke krijuar probleme të mëdha në shumë zona.

Edhe në Mirditë pjesa më e madhe e fshatrave janë të bllokuara. Rruga e Kombit është e kalueshme me vështirësi pasi reshjet e dëborës janë rikthyer. Ky segment është bllokuar herë pas here për shkak të dëborës në rrugë që solli edhe rrëshqitjen e mjeteve të tonazhit të lartë.

Në Lezhë situata është përmirësuar pas rikthimit të reshjeve të shiut, ndërsa problem mbetet lëvizja drejt zonës së Ungrejit, pasi në zonën e quajtur Kreshtë dëbora ka krijuar vështirësi në qarkullim.

Në jug, situata më problematike paraqitet ne qarkun e Gjirokastrës, ku të gjitha fshatrat janë izoluar nga dëbora. Kalimi është i mundur vetëm në rrugët nacionale.

Në juglindje bora kalon gjysmë metër. Të gjitha zonat malore në Korçë janë të izoluara. Aksi Korçë-Qafë Thanë-Kapshticë është i kalueshëm normalisht, ndërsa në rrugët e tjera nacionale lëvizet vetëm me zinxhirë.

Problematik dhe i rrezikshëm mbetet qarkullimi në rrugën Korçë-Ersekë, në Qafën e Qarrit, ku ka mbi 40 centimetër borë.

Situata e motit ka krijuar vështirësi edhe në zhvillimin normal të procesit mësimor. Për pasojë, në 16 drejtori dhe Zyra Arsimore mësimi është pezulluar totalisht, në 6 drejtori vetëm disa shkolla janë mbyllur, ndërsa mësimi po zhvillohet me orë të shkurtuar në të gjithë vendin.

Tv Klan