Edhe pse jemi në stinën e pranverës, fundjava ka rikthyer reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta nga verilindja deri në juglindje të vendit.

Situata më problematike u raportua në zonën e Thethit ku trashësia e borës arriti deri në 25 centimetra, siç duket në aksin Qafë-Thorë-Theth.

Borëpastrueset kanë punuar në terren për të mbajtur rrugët e hapura. ARRSH njofton se edhe në aksin Pukë-Fushë-Arrëz-Qafë-Mali qarkullimi i mjeteve vijon pa probleme.

Mesditën e së Dielës reshjet e borës përfshinë edhe Peshkopinë.

Edhe në Rrugën e Kombit ka patur prezencë të dëborës dhe më pas edhe prezencë akulli duke e kthyer aksin në problematik për kalimin e automjeteve.

Për shkak të kësaj situate janë shënuar edhe aksidente, pasi drejtuesit e automjeteve kanë qenë të papërgatitur për kushtet atmosferike tipike të dimrit.

Siç shihet nga pamjet një automjet ka dalë nga rruga afër Traut të Rrugës së Kombit duke shkaktuar dëme të mëdha materiale të mjetit që udhëtonin 3 anëtarë të së njëjtës familje, por fatmirësisht kanë shpëtuar pa lëndime.

Për të shmangur çdo aksident tjetër të mundshëm në terren kanë qenë  borëpastrueset duke punuar për pastrimin e rrugës dhe mbajtjen hapur të saj për qarkullimin e mjeteve.

Ndryshe nga verilindja dhe juglindja, në pjesën tjetër të territorit janë regjistruar reshje të dendura shiu.

Kapiteneria e Portit të Durrësit urdhëroi mosdaljen në det të anijeve të vogla. Në rrugët e qytetit shiu vështirësoi qarkullimin e automjeteve.

Probleme nga shiu ka pasur dhe aksin Berat-Poliçan-Çorovodë. Siç shihet në pamje në disa segmente të rrugës ka pasur rrëshqitje dherash e gurësh.

Sinoptikanët parashikojnë një përmirësim të motit të hënën, ku temperaturat pritet të rriten me disa gradë. Megjithatë muaji Prill pritet të mbyllet me mot të paqëndrueshëm.

Klan News