Dëborë në verilindje, përmbytje në Fier e Durrës

Dëborë në verilindje, përmbytje në Fier e Durrës

14:38 06/04/2015 motiRajoni Veri - Lindor i Shqipërisë vazhdon të jetë i mbërthyer prej dy ditësh nga moti i keq dhe reshje të shumta dëbore.

Në Dibër e Bulqizë trashësia e dëborës është mbi 40 cm, ndërsa në qytet ajo arrin në 15 cm. Kjo situatë ka krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Gjatë orëve të para të mëngjesit të së hënës drejtusve të automjeteve, u është dashur të përdorin zinxhirë për të kaluar në disa segmente rrugore.

Moti i keq ka bërë që disa komuna në rajonin veri - lindor të mbeten pa energji elektrike, si pasojë e dëmtimit të disa shtyllave.

Probleme janë shfaqur edhe në rrugën e Kombit, ku në vendin e quajtur Kolsh,7 km nga Kukësi, ka patur rrëshqitje të  një masivi shkëmbor, për pasojë është bllokuar një korsi për qarkullimin e mjeteve.

Situata e rënduar nga përmbytjet paraqitet edhe në qytetin e Durrësit. Nga reshjet e 12 orëve të fundit, pothuajse i gjithë qyteti është paralizuar nga uji.

Më e vështirë është gjendja në zonën e ish - kënetës ku uji ka hyrë në dhjetra banesa. E përmbytur është edhe Lagjia 18 pranë stadiumit si dhe në zonën Shkozet.

Edhe në qytetin e Fierit situata paraqitet problematike. Reshjet e dendura të shiut bënë që lumi i Gjanicës të dalë nga shtrati, duke mbuluar me ujë 4 lagje në këtë qytet.

Qindra banorë janë izoluar në katet e sipërme të banesave duke pritur tërheqjen e ujit, niveli i te cilit  në disa banesa ka arritur në mbi 1.5 m. Nga shtabi i emergjencave civile nuk shihet  asnjë organizim për të ndihmuar banorët në përballimin e situatës.

Që nga janari e deri tani lumi gjanica ka dalë nga shtrati 3 herë në këto përmasa. Në 20 vitet e fundit nuk është bërë asnjë ndërhyrje për rehabilitimin e shtratit.

Tv Klan

Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi