Debutimin e kuqezinjve mbrëmjen e kësaj të Hëne në Varshavë e ka komentuar dhe Kryeministri i vendit Edi Rama.

Përmes një postimi në Facebook, Rama shkruan se Kombëtarja sot ishte dinjitoze e që meritonte barazim kundër Polonisë, që sipas kreut të qeverisë u vu në vështirësi nga fillimi në fund

Kryeministri ka përgëzuar lojëtarët e Kombëtares duke i inkurajuar drejt ndeshjeve të Europianit.

“Me siguri nuk kuptoj nga futbolli, po nuk rri dot pa shkruar këtu sonte se kjo Shqipëri që pashë sot ishte një Shqipëri dinjitoze, me vetëbesim, përkushtim e zotësi, e cila meritonte si minimum barazimin në një stadium kundërshtar nga më të zjarrtët e Europës, kundër një Polonie të vënë në vështirësi nga fillimi në fund, prandaj përgëzime kuqezinjve për këtë debutim shumë premtues dhe kurajo e besim për më tej në rrugëtimin e saponisur drejt Eurofinaleve”, shkruan ai.

Këtë mbrëmje Shqipëria humbi ndaj Polonisë me rezultatin minimal 1 me 0. Një shans i shpërdoruar, me Shqipërinë që mban vendin e fundit me 0 pikë pas një takimi të luajtur. Ndërkaq, situata në grupin E është e tillë, me Çekinë që kryeson me 4 pikë, ndjekur nga Polonia me një pikë më pak, Moldavia në kuotën e 2 pikëve dhe Ishujt Faraoe me 1 pikë./tvklan.al