Ndeshja Shqipëri-Andorra e cila u mbyll me një fitore 3-0 për kuqezinjtë, shënoi edhe debutimin e Juljan Shehut me kombëtaren. Performanca e tij u vlerësua nga vetë trajneri Sylvinho në “Klan Kuq e Zi” i cili u shpreh i kënaqur.
Shehu ndau përjetimet e kësaj ndeshjeje, madje nuk e fshehu as habinë që u përzgjodh nga trajneri. Ai tregoi edhe për pjesën e vështirë që ekipi hasi gjatë përballjes dhe si zgjodhën ta superoni.
Viola Spiro: Si e përjeton një debutues një ndeshje me fitore?
Juljan Shehu: Për mua, e kam thënë edhe më përpara, ishte një ëndërr e bërë realitet në momentin që mora ftesën. Sot nuk e prisja kur më tha trajneri, isha shumë i habitur dhe në të njëjtën kohë shumë i lumtur për këtë debutim timin por gjithashtu shumë i lumtur edhe për fitoren pasi kjo na jep shtysë akoma që të besojmë për ëndrrën që ne të shkojmë përpara në Botëror.
Alban Xhihani: Ke pasur kontakte më herët me Silvinjon apo vetëm këtë periudhë për kualifikuese?
Juljan Shehu: Vetëm këtë periudhë.
Arjan Peço: Nuk mendoni që në të ardhmen mund të bëni diçka më tepër duke u bërë më inciziv ndoshta edhe në anën ofensive?
Juljan Shehu: Mund të bëhem në të ardhmen, por kjo është ndeshja e parë normale që ndeshja e parë ka ato emocionet e veta ose do që shumicën e kohës të jesh më i sigurt. Jo që nuk provova përpara, por në momentet që eipi i Andorrës mbyllej shumë mbrapa, nuk kishte shumë hapësira,ishte më mirë që të luanim thjesht deri në momentin që të gjenim hapësira të shkonim përpara sesa ta humbnim topin, kjo është ajo që po mendonim në lojë./tvklan.al