Xhensila Myrtezaj nuk mund t’i mbajë lotët teksa flet për vajzën e saj, Ajkën. Këngëtarja e njohur dhe e dashur për publikun shqiptar ishte e ftuar këtë të hënë në emisionin “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan.

“Unë do ta rris vajzën me parimin që t’i dijë të drejtat e saj. Ajka duhet të rritet e pavarur dhe duhet ta shijojë jetën dhe të mos ketë vetëm detyrime, por më shumë të drejta se detyrime”, tha ajo gjatë emisionit.

E teksa u pyet nga gazetarët e vegjël se cila ka qenë dhurata më e bukur që i ka bërë Bes Kallaku, “Ajka” u përgjigj Xhensila. Këngëtarja nuk mundi t’i mbante lotët, teksa Alketa Vejsiu i vuri të lexonte një dedikim që ajo ia kishte bërë vajzës në 1-vjetorin e lindjes.

“Për nektarin e jetës time, bija ime, mbrëmë e kisha të pamundur të flija, e mezi prisja të hapje sytë e ëmbël. E ndjej akoma aromën dhe faqet e ngrohta të tuat kur të sollën tek unë. Ma ngrohën shpirtin si askush më parë në jetë, ndjesia hyjnore. Ditëlindja jote, dita më e bukur e jetës time. Lutja ime, me ty njoha edhe më shumë Zotin, kuptova se sa shumë dashuri dhe dhembshuri ndjen ai për ne. Ti solle lutjen, lutem për ty sa hap sytë, e gjumi më zë duke falënderuar Zotin për mrekullinë që na solli në jetë. Nuk të dhuruam ne jetën, ti na dhe botën. Ne të dyja kemi qëndruar 24 orë bashkë, kemi qeshur, kemi kërcyer, kemi qarë të dyja kur ti ke bërë vaksinat, kur të dhimbte barku, e tani që po të dalin kicat(dhëmbët), kemi eksploruar botën bashkë përreth, nuk po mëson ti nga unë, unë po mësoj nga ty, po e shoh botën vetëm nga sytë e tu, dhe e di sa shumë ngjyra, pastërti, gëzim, po shohin sytë e mi tani? Na presin dhe shumë vite për të mësuar nga njëra-tjetra, shoqja, motra, bija ime. Ne ja dolëm zonjushë Ajka, të përjetojmë më të bukurin vit me plot sfida, e mësime. Ti ke fuqinë, ti më ndryshove mua dhe jetën time përgjithmonë. Mos e harro kurrë, kurrë mos ndjej frikë, kur ti të kalosh përmes ujërave mami do jetë me ty. Në fillim unë dhe babi kishim njëri-tjetrin, tani kemi gjithçka. Ajka, ëndrra jonë e bërë realitet”, tha Xhensila./tvklan.al