“Ju thashë që nuk do të qaja?”, ishte fjalia e Leandrës pas përfundimit të performancës së javës së shkuar në “X Factor Albania” në Tv Klan. Por në insertin prezantues për mbrëmjen e nëntë, lotët ia  mbushën sërish sytë teksa zbuloi se kënga “Cruel Summer” është një dedikim për hallën e saj.

Leandra rrëfen se ajo është njeriu më i shtrenjtë, e ka rritur dhe e ka mbështetur. Këtë periudhë, halla e saj po përballet me një moment të vështirë shëndetësor.

“Kjo është një këngë dedikim për personin më të shtrenjtë, hallën time. Ajo më ka rritur dhe ka qenë ai personi që më ka mbështetur shumë në këtë rrugëtim. Kjo kohë nuk ka qenë shumë e lehtë për të sepse u diagnostikua me tumor dhe nuk ka qenë e lehtë as për mua. Kur e shikoja çdo ditë, nuk e shikoja dot. Më dukej sikur ndihej fajtore kur e pyesja që i thosha do të vish, hajde të lutem dhe nuk vinte dot për arsye të gjendjes së saj. Unë çdo gjë ia kam dedikuar, është halla ime e vetme, më ka rritur, kam kaluar shumë me atë, kam jetuar me atë”.

Pas përfundimit të performancës, Leandra i dërgoi edhe një mesazh dashurie hallës së saj nga skena e “X Factor Albania”.

“Unë e dua shumë, është personi që më ka rritur dhe është personi më i fortë që unë kam parë deri më tani dhe shpresoj shumë që të jem si ajo në të ardhmen time. Të dua!”/tvklan.al