Ka nisur në Portin e Durrësit stërvitja e madhe ushtarake me dislokimin që ndodh për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore në Europë.

Ambasadorja Amerikane në Tiranë, Yuri Kim, përgëzoi Forcat e Armatosura Shqiptare dhe Ministrinë e Mbrojtjes për organizimin e ceremonisë që u zhvillua ditën e sotme. Ajo tha se roli i Shqipërisë në stërvitjen “Defender 21” është domethënës dhe roli i Shqipërisë në NATO vetëm po njeh rritje.

“Roli drejtues Shqipërisë në këtë stërvitje është domethënës dhe roli i Shqipërisë në Aleancë vetëm rritet. Po të shohësh në rajon vihet re që Shqipëria është pritëse e shumë aktiviteteve në rajon. Roli i Shqipërisë në Aleancë është më i rëndësishëm se kurrë. Shqiptarët kanë luftuar me ne krah për krah në konflikte të ndryshme. Nuk i harrojmë sakrificat dhe do të jemi kur Shqipëria të ketë nevojë. E njohim trimërinë tuaj dhe jemi të nderuar t’ju quajmë aleatët tanë”, tha Kim.

Ambasadorja shtoi se Shqipëria ofron një bazë të rëndësishme që i jep NATO-s mundësinë që të përgjigjet shpejt dhe me efektivitet.

“Nuk keni hezituar kurrë të ofroni trupat tuaja, apo të prisni aletatët në vendin tuaj. Na keni përsëritur gjithmonë dhe na keni treguar potencialin teknik të Shqipërisë. Jemi mirënjohës për mikëpritjen. Kjo stërvitje është historike në Shqipëri, por vlen edhe të përmendet se disa prej stërvitjeve do të ndodhin këtu, në portin e Durësit. Kjo stërvitje është fillimi i gjërave më të mëdha që do të vijnë. Do të stërvitemi më shpesh, mbetemi me ju”, tha Kim.

Gjatë stërvitjes ushtarake do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë partnere të NATO-s, për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi.

Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në stërvitjen e përvitshme të këtij viti Defender-21 të trupave ushtarake amerikane dhe aleatëve të NATO-s.
Brigjet shqiptare shfrytëzohen për të parën herë për stërvitje që pas Luftës së Dytë Botërore për zhvillimin e aftësive të trupave aleate për zbarkimin nga deti.

Bëhet fjalë për një prej stërvitjeve më të mëdha dhe më të rëndësishme ku marrin pjesë 28 mijë trupa ushtarake, ku krahas atyre amerikane marrin pjesë edhe ushtarë shqiptarë dhe nga 26 vende në total.
Krahas vendit tonë në stërvitje janë të pranishëm edhe ushtritë e vendeve fqinje anëtarë të NATO-s, si Mali i Zi e Maqedonia e Veriut.

Stërvitja ka qëllime mbrojtjeje dhe përqendrohet kryesisht në parandalimin e sulmeve teksa përgatit forcat aleate për t’ju kundërpërgjigjur situatave të krizave apo katastrofave humanitare. Si terrene të stërvitjes përdoren terrene të vështira bregdetare si porte të degraduara të dala jashtë përdorimit./tvklan.al